Pacolli kërkon nga BE të qartësohet për agresionin që i ndodhi Kosovës këto ditë në Beograd

12:16 | 05 Prill 2019

Behgjet Pacolli i ka bërë thirrje BE-së të qartësohet për agresionin që i ndodhi Kosovës këto ditë në Beograd.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se Serbia është treguar destruktive ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin Digjital që po mbahet në Beograd.

Ai ka dënuar veprimet e Serbisë, në rastet kur përfaqësuesve nga Kosova ju ka ardhur radha që ta marrin fjalën.

“Serbia duke thyer secilën marrëveshje sot ka vepruar në mënyrën organizative gjatë mbajtjes së panelit të ministrave të Ballkanit Perëndimor moderuar nga Majlinda Bregut. Gjatë këtij sesioni organizatorët ndalojnë mikrofonat dhe kalojnë fjalën në publik dhe koncentrohen kamerat dhe dritat dhe në monitorët prapa panelistëve derisa lexohen tekste që janë kundër Kosovës. Tekste shoviniste. Tekste kundër Republikës së Kosovës, pavarësisë dhe njerëzve të Kosovës. Një gjë e tillë është e papranueshme dhe e dënojmë fuqishëm”, njofton Klan Kosova.

“Situatë identike ka ndodhur edhe në hapësirat tjera të kongresit, ku qendra inovative në momentin që paraqet programin e vet, dikush nga publiku lexon një tekst. Në mënyrë organizative është vepruar kundër Republikës së Kosovës dhe çdo marrëveshje që Serbia është e obliguar ta respektojë”.

Për sjelljet e Serbisë ndaj Kosovës, Pacolli ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të marrë masa.

“Ftojmë BE-në që ta disiplinojë Serbinë. Në të ardhmen përndryshe Kosova nuk mund të jetë partnere dhe të jetë prezente në konferenca të këtij lloji. Ftojmë BE-në që ta qartësojnë pozicionin e vet ndaj këtyre agresioneve kundër Kosovës”.

Kryediplomati kosovar ka thënë se nëse Serbia vazhdon me këtë qasje, Kosova nuk do ta tolerojë.

Komento: