Fatin e LDK-së e vendosin këto zgjedhje

10:30 | 08 Prill 2019

Lidhja Demokratike e Kosovës që disa javë ka hyrë në zgjedhjet e brendshme të partisë.

E ardhmja e LDK-së do të varet nga mbarëvajtja e procesit zgjedhor të saj. Sa më demokratik, që të jetë procesi aq më e fortë do të jetë kjo parti, thonë analistët. Megjithatë ata nuk presin ndryshime të mëdha nga kjo parti.

Mundësia që secili anëtar i LDK-së të ketë të drejtën për kandidim për kryetar të LDK-së e bënë këtë parti edhe më demokratike. Kështu vlerëson politologu Ramush Tahiri. Kufizimet për kandidaturat për kryetar të dala nga Këshilli Qendror im LDK-së në zgjedhjet e mëparshme, nuk duhet praktikuar, thotë Tahiri.

“Tash po ka deklarime se duhet një organ ose duhet partia me vendos se si duhet të kandidohen njerëzit. Për mua LDK duhet të jetë demokratike tamam dhe propozimet le të jenë edhe 100 propozime për kryetar nga degët, dhe me procesin zgjedhor qysh shkojnë degët,ashtu të profilizohen edhe kandidatët. Dhe, nëse vendoset në Kongres ose Këshill, kudo, do të ishte mirë që sa më shumë kandidatura (dhjetë apo pesëmbëdhjetë) në raundin e parë dhe në të dytin të ketë tre kandidat”, tha Tahiri.

Duke njohur mentalitetin e LDK-së dhe përvojën nga zgjedhjet e kaluara, Tahiri thotë se ata, dëshirojnë të hyjnë në garë por procesin ta kenë të njohur qysh më parë, përkatësisht të dinë para votimit se kush mund të jetë kryetari. Nëse ndodh kështu, mund të ketë sërish përçarje por nëse procesi do të kalojë në mënyrë demokratike, LDK do të jetë parti e fortë dhe me ardhmëri për qeverisje.

“Këto zgjedhje do të jenë zgjedhje kyçe për fatin e LDK-së në njëfarë forme edhe për kualitetin e qeverisjes në Kosovë, sepse qeverisja e ardhshme do të jetë me një pjesëmarrje të LDK-së nëse ruhet uniteti”, thotë Tahiri për RTK.

Analisti Blerim Burjani po ashtu thotë se do të ishte mirë që të respektohet demokracia e brendshme dhe degët të vendosin për kandidaturat që mund të bëhen pjesë e nivelit qendror. Por situata është shumë më ndryshe, thotë ai. Përkundër faktit se disa anëtarë kanë shfaqur interes në garën për të parin e LDK-së, në LDK nuk ka konsensus, përveç asaj që Isa Mustafa mund të kandidohet si person i vetëm, thotë Burjani.

“Nuk pres ndonjë ndryshim, ndoshta do të ishte mirë nëse nuk kanë konsensus tjetër politik, më mirë të kandidojnë Isa Mustafën sesa mu shkatërrua subjekti politik apo me u nda në dysh. Pra shumë më mirë do të ishte që organet e LDK-së të përcaktohen për një kandidat tranzicional, pra për një kryetar i cili do të ketë një mandat të përkufizuar“, tha Burjani.

Sidoqoftë në muajin maj, pritet që Lidhja Demokratike e Kosovës, t’i shpallë zyrtarisht kandidaturat për kryetar të kësaj partie.

Komento: