Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të përballet me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Kryetarët e grupeve parlamentare të AAK-së, NISMA-s dhe PSD-së sot në ora 14:00 do ta dorëzojnë në Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit të Thaçit lidhur me emërimin e anëtarëve të KQZ-së.
Këtë e ka bërë të ditur Partia Socialdemokrate përmes një njoftimi drejtuar mediave.
“Sot (8 prill 2019), në ora 14:00, Kryetarët e grupeve parlamentare të PSD-së, AAK-së, dhe NISMA-s, mbështetur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të dorëzojnë në Gjykatën Kushtetuese: Kërkesën për Vlerësimin e kushtetutshmërisë të Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës i datës 28 mars 2019, lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)”, thuhet në njoftimin e PSD-së.
Ndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, emëroi më 28 mars tetë anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pjesë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë: Sami Hamiti, Florian Dushi, Adnan Rrustemi, Nazlie Bala, Alfred Kinolli, Qemail Kurtishi, Erxhan Shpat dhe dhe Stevan Veselinoviç.
Derisa ende nuk është bërë emërimi i dy anëtarëve të tjerë që duhet të përfaqësojnë koalicionin e partive në pushtet, një pjesë e të cilave kanë shprehur pakënaqësi për mos përfshirje të përfaqësuesve të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Socialdemokrate dhe Nisma Socialdemokrate kanë kundërshtuar mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kishin paralajmëruar dërgimin e kësaj çështjeje edhe në Gjykatë Kushtetuese.
Partia Demokratike e Kosovës, ka propozuar një anëtar për ta përfaqësuar në KQZ, nga dy sa i takojnë koalicionit qeverisës.
Kjo ka ngjallur reagime të shumta dhe paralajmërimi i Nismës Socialdemokrate për largim nga koalicioni qeverisës, nëse nuk përfshihet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.