
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.
Osmani ka falënderuar EULEX-in për bashkëpunimin me Policinë e Kosovës për ofrimin e sigurisë gjatë procesin zgjedhor në komunat veriore.
Tutje, ajo ka thënë se Serbia ndërhyri paligjshëm në zgjedhjet në veri, dhe se veprimet e Serbisë janë në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ajo potencoi se veprimet e Serbisë para 23 prillit si dhe në ditën e zgjedhjeve dëshmojnë ndërhyrje të paligjshme të Serbisë në zgjedhjet e Republikës së Kosovës nëpërmjet metodave të kërcënimeve e dhunës ndaj serbëve lokal në komunat veriore. Një veprim i tillë, potencoi ajo, është jo vetëm në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit, por edhe normat e aplikueshme juridike ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani edhe të hënën reagoi ndaj dy veprimeve që tha se Serbia ndërmori, e që bien ndesh me marrëveshjen e dakorduar në Bruksel dhe Ohër.
Shkelja e parë, sipas saj, u bë përmes ndërhyrjes së Serbisë në zgjedhjet e organizuara të dielën në veri të Kosovës. Kjo, tha Presidentja Osmani, përbën shkelje të nenit 2 të marrëveshjes.
Neni 2 i marrëveshjes thotë se “të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.
Ndërsa si shkelje të dytë të marrëveshjes, Presidentja Vjosa Osmani përmendi votën kundër të Serbisë për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Osmani tha se me këtë veprim, Serbia shkeli nenin 4 të marrëveshjes, ku thuhet se “palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se institucionet e Brukselit “janë në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Megjithatë, Stano nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.
Kjo nuk u prit mirë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, që i kërkuan BE-së që jo vetëm ta vëzhgojnë Serbinë në veprimet që bën, por edhe t’i dënojë shkeljet e tyre.