
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kërkesat që Asociacioni të jetë parakusht për zbatimin e neneve të tjera të marrëveshjes Kosovë-Serbi, nuk e ndihmojnë procesin e dialogut.
Ajo ka theksuar se interpretimet e reja të BE-së që kërkojnë nga Kosova të dalë përtej asaj që është e shkruar në letër janë të gabuara.
Përkitazi me këtë, presidentja Osmani tha se Kosovës nuk duhet t’i kërkohet të bëjë diçka që fare nuk është në marrëveshje.
Këto komente Osmani i bëri pas ceremonisë së themelimit të shoqatës së miqësisë Kosovë-Austri.
Gjatë ditës së djeshme, në Bruksel është mbajtur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash.
Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.