
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Charles Smith ka dhënë urdhër me gojë, për të obliguar palët që të gjejnë zgjidhje deri më 31 maj për të garantuar publicitet më të madh në këtë proces.
“Palët pra urdhërohen të angazhohen në diskutime inter-partes për këtë çështje dhe deri më 31 maj 2023 të sigurojnë zgjidhje për të garantuar publicitet më të madh të këtyre procedurave’’, tha gjykatësi Smith.
Ai e filloi urdhrin me fjalinë se “ky trup gjykues është i shqetësuar se të gjitha provat deri tani janë dëgjuar në seanca private apo të mbyllura”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësi Smith tha se në bazë të nenit 21, paragrafi 2 të ligjit, të akuzuarit kanë të drejtë të dëgjojnë seanca publike dhe të drejta dhe se është interesi i publikut që këto procedura të jenë sa më shumë që të jetë e mundur publike.
Tutje, ai tha se trupi gjykues ju kujton gjithashtu se në paragrafin 1 të urdhrit për zhvillimin e procesit, palët dhe pjesëmarrësit duhet të respektojnë karakterin publik të procesit.
“Ky trup gjykues vendosi që argumentet ligjore të paraqitjeve të provave nga palët pjesëmarrëse, të bëhen në seanca të mbyllura apo private vetëm kur është rreptësishtë e nevojshme në përputhje nga rregulli 120 të rregullores”, tha ai.
Po ashtu, gjykatësi Smith tha se për fat të keq deri tani një pjesë e madhe e këtij gjykimi është bërë në seancë të mbyllur apo private dhe nevoja për mbrojtjen e dëshmitarëve sigurisht është përligjje e masave mbrojtëse të urdhëruara nga trupi gjykues që nga ana tjetër kanë të bëjnë me karakterin publik të procesit dhe se kjo është e nevojshme për të mbrojtur dëshmitarët.
“Në të njëjtën kohë është e rëndësishme që gjykimi të vazhdojë që të jetë publik dhe që trupi gjykues të shqetësohet më pak që ai të mos bëhet gjithmonë privat, por të bëhet sa më shumë publik”, tha më pas ai.
Gjithashtu sipas tij, trupi gjykues kërkon parashtrime nga palët që të sigurojnë një masë më të madhe të publicitetit të këtyre procedurave.
E që trupi gjykues, sipas gjykatësit Smith do të shqyrtojë urdhërimin e palëve për të propozuar versionet e redaktuara publike të transkripteve në seanca private apo të mbyllura që publiku t’i kuptojë çfarë ka ndodh.
“Megjithatë, nëse palët përmes diskutimeve midis palëve dalin me zgjidhje alternative, trupi gjykues do t’i marrë parasysh këto propozime për të arritur publicitet më të madh”, tha tutje ai.
Gjykatësi tha se për dëshmitarët e tjerë, palët udhëzohen që të marrin parasysh parimin e publicitetit kur të kërkojnë që dëshmitë e dëshmitarëve të dëgjohen në seancë private apo të mbyllura.
“Nuk do të kundërshtojmë që, edhe po e shtoj këtë, që të futemi dhe të dalim në seanca private dhe të mbyllura sepse e kuptojmë që është pjesë e procesit në një çështje si kjo’’, tha ai.
Tutje, ai po ashtu tha se besojnë që avokatët do të ushtrojnë gjykimin e tyre të mirë për të organizuar pyetjet në mënyrë që të nxisë publicitetin.
“Me këtë, dua të them që ta kemi dëshmitarin dhe këtë do ta bëjmë me dëshmitarin e ardhshëm dhe materialet që janë konfidenciale t’i përcaktojmë që në fillim dhe pastaj të vazhdojmë me seancë publike derisa të dalë diçka që është e nevojshme për tu mbrojt, gjithashtu mendojmë që avokatët do të kenë kujdes të veçantë të mos nxjerrin informacion konfidencial gjatë seancave publike dhe do t’i formulojnë pyetjet e tyre në mënyrë të tillë që të shmang ndodhitë e tilla”, tha në fund të urdhrit gojor gjykatësi Smith.
Pas këtij urdhri, ka reaguar mbrojtja e Kadri Veselit konkretisht avokati Ben Emmerson, i cila tha se me këtë urdhër krijohet përshtypja se përgjegjëse për këtë është mbrojtja.
“Meqenëse jemi në seancë publike gjithkush që dëgjon mund të krijojë përshtypjen se përgjegjëse për këtë, për faktin që ne kemi ndërhyrë në seancë publike që në fillim është përgjegjëse mbrojtja, dua që ta them që çdo.. nga kjo është rezultat i kërkesës së Prokurorisë që është miratuar nga trupi gjykues’’, tha ai.
Kurse, gjykatësi Smith tha se ky urdhër nuk është dhënë për të fajësuar dikë, por që Emmerson tha se kjo mund të mos ketë qenë qëllimi, por që i formuluar në mënyrë të tillë duket sikur mbrojtësit janë në njëfarë mënyre fajtorë për këtë gjë.
E që, gjykatësi Smitha tha se ka pasur qaste kur dikush ka shkelur rregullat, duke përmendur emrat e një dëshmitari apo dëshmitarëve të mbrojtur dhe kjo nuk ka ardhur vetëm nga Prokuroria dhe se sipas tij, ka pasur shkelje të paqëllimshme që kanë krijuar problem.
“Nuk kemi krijuar probleme të tilla sepse kemi qenë në seancë private, unë jam i shqetësuar për faktin se përshtypja që mund t’i krijohet publikut nga urdhri që sapo dhatë është sikur ne mbrojtja jemi në njëfarë mënyre i pajtuar me këtë situatë që është krijuar për faktin që ky gjyq është zhvilluar në seanca private”, tha në fund Emmerson.