Sami Kurteshi sërish me gjuhë të rëndë ndaj mediave, reagon AGK: Absolutisht e papranueshme dhe e rrezikshme

12:52 | 25 Maj 2023

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar ndaj një deklarate të anëtarit të partisë politike Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, i cili gjatë ditës së djeshme ka hedhur akuza të rënda ndaj mediave.

Duke komentuar reagimet për emërimin e Luljeta Aliut për anëtare të Komisionit të Pavarur të Medieve, Kurteshi, ka akuzuar mediet dhe gazetarët se janë pjesë e “krimit të organizuar politik-ekonomik nën firmën e PLANS”.

Në një gjuhë shumë të rrezikshme dhe absolutisht të papranueshme, zoti Kurteshi ka shkruar se “AGK është pjesë e pandashme e makinës përbaltëse të krimit të organizuar!”.

Ai gjithashtu, ka akuzuar aktivistë të shoqërisë civile për reagimet duke i quajtur “ekspert/e” vendor/e, ushujza parazitore të PLANS-it”.

“AGK-ja, sërish i bën thirrje kryeministrit dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që të angazhohet për ndalimin e sulmeve të vazhdueshme të eksponentëve të qeverisë dhe partisë së tij, pasi ato ndikojnë direkt në sigurinë e gazetarëve në Kosovë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Komento: