Ujësjellësit “Prishtina” i kanë borxh mbi 40 milionë euro.
Mbi dyzet milionë euro është borxhi i institucioneve publike, bizneseve dhe amvisërive ndaj Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”. Zyrtarë të kësaj kompanie bëjnë të ditur se kryeqyteti me zonat përreth prin me borxhin më të madh për ujin e shpenzuar.
Zëdhënësja e Ujësjellësit, Arieta Mjeku, se mbledhja e borxheve përmes përmbaruesve privatë, është treguar mjaft e suksesshme.
Borxhet e institucioneve publike, bizneseve dhe konsumatorëve shtëpiakë ndaj Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” kanë arritur në mbi dyzet milionë euro.
Zëdhënësja e Kompanisë se Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arieta Mjeku, tha për Radio Kosovën se kjo shumë është tepër e lartë dhe se po e pengon punën normale të kompanisë.
“Nëse flasim për borxhin e sektorit të amvisërisë të të gjithë konsumatorëve, bizneseve të vogla dhe të mëdha dhe institucioneve publike, aktualisht është rreth dyzet e një milion euro. Në bazë të dendësisë të konsumatorëve, normalisht më borxhin me të madh prin Komuna e Prishtinës me zonat për rreth.”
Mjeku po ashtu theksoi se prioritet i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” është mbledhja e borxheve dhe reduktimi i humbjeve teknike të ujit, për arsye se këto po e dëmtojnë shumë kompaninë. Ajo shtoi se që nga viti i kaluar ka filluar mbledhja e borxheve përmes përmbaruesve privatë dhe kjo ka rezultuar si mjaft e suksesshme.
“Fokusi i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” është reduktimi i humbjeve teknike dhe komerciale të ujit të pijes dhe mbledhja e borxheve nga konsumatorët. Ajo që është e rëndësishme është se që nga viti i kaluar kemi filluar që t’i dërgojmë lëndët të përmbaruesi privat dhe kjo rezultuar si diçka shumë e rëndësishme.”
Ndërsa, hulumtuesi nga Organizata “Ballkan Green Foundation”, Besfort Kosova, tha se mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale po ndikon në një planifikim jo të duhur për mbrojtjen dhe menaxhimin e ujit.
“ Fatkeqësisht ekziston një moskoordinim në mes të institucioneve qendrore, pastaj atyre qendrore me ato lokale, dhe nga kjo kemi një planifikim jo të mirë sa i përket menaxhimit të ujit dhe mirëmbajtjes se sipërfaqeve të pasura me ujë.
Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave bëjnë thirrje për kursimin e ujin. Për arsye se në mungesë të reshjeve atmosferike gjatë temperaturave të larta qytetarët mund të përballen me reduktime të mëdha të ujit.