Reagon OVL e UÇK-së, pas prangosjeve të reja ndaj Grupit të Drenicës

22:53 | 13 Prill 2019

Reagon OVL.

Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së kanë reaguar pas vendimit për vuajtje dënimi të vëllezërve Demaku nga Grupi i Drenicës si dhe pas prangosjeve të reja të kryera sot ndaj vëllezërve Demaj.

Në deklaratën e lëshuar, OVL e UÇK-së ka shprehur indinjatën e tyre duke theksuar që Grupi i Drenicës janë dënuar pa prova si pasojë e dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.

Më poshtë njoftimi i plotë:

‘’Për më shumë se një dekadë, ishim dëshmitarë të dështimit total të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë, e cila përmes mekanizmave të ashtuquajtur të drejtësisë, vazhdimisht ka organizuar komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe grupi i Drenicës janë dënuar pa prova materiale, me vetëm një deklaratë të një pale, e që është absurd i kësaj drejtësie, që fatkeqësisht po e zbaton drejtësia e Kosovës.

Dje u dërguan në vuajtje të dënimit kryetari i komunës së Drenasit Nexhat Demaku e ish deputeti i Kuvendit të Kosovës Fadil Demaku, ndërsa sot prangosën vëllezërit Driton, Agim e Selman Demaj në cilësinë e të dyshuarit.

Neve si OVL UÇK, na brengos fakti që kriminelët serbë shëtisin lirshëm kudo në Kosovë dhe nuk gjykohen për krimet që i kanë bërë, por po gjykohen e dënohen me akuza të rrejshme luftëtarët e lirisë’’

Komento: