
Ligji për Pagën Minimale është i fundit që u dërgua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Gjykatën Kushtetuese.
Ish-gjyqtari i këtij institucioni, Kadri Kryeziu nuk e di se çfarë vendimi do të merret, por e tregoi për Front Online afatin që ka para vetes autoriteti më i lartë për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës.
“Tash varësisht deri t`i përgatisin dokumentet, por këto kërkesa të organeve të shtetit, afati është 60 ditë maksimumi. Gjykata e ka për detyrë me marrë mendimin e palës kundërshtare, njëherë del në kolegjin prej tre anëtarëve dhe pastaj në kolegjin e gjerë prej 9 anëtarëve vendimi”, theksoi Kryeziu për Front Online.
Ligji për Pagën Minimale, nga i cili u përjashtuan përkohësisht veteranët, nuk hyn në fuqi pa marrë një vendim Kushtetuesja.
“Ligji është i pa nënshkruar, por edhe sikur të ishte nuk ka mundësi të zbatohet deri sa të merr vendim Gjykata. Vendimet e Gjykatës janë ligje, vendime të karakterit ligjor. Do të kishte hyrë në fuqi nëse nuk do të ishte trajtuar si lëndë në Kushtetuese”, u shpreh Kryeziu për Front Online.
Jeton Halimi nga Instituti per Studime Evropiane dhe Globale thotë se Kushtetuesja duhet ta trajtojë me përpikmëri dhe kujdes secilin detaj të Ligjit për Pagën Minimale.
“Nëse ligji është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe është punuar në mënyrë shume profesionale dhe i ka plotësuar kërkesat qytetarëve të Kosovës atëherë nuk ka arsye mos të jetë një ligj i mirë”, tregoi Halimi.
Ligji për Pagën Minimale është vetëm njëri nga pesë ligjet që ndodhën në sirtarin e Gjykatës Kushtetuese në pritje për interpretim.