
Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE në Kosovë, Michael Davenport, ka reaguar lidhur me mesazhet kërcënuese që po marrin policët e komunitetit serb, të cilët e kanë marrë detyrën në fillim të kësaj jave.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se të gjitha përpjekjet për të frikësuar apo kërcënuar oficerët e PK-së apo kadetët që fillojnë karrierën në polici “duhet të dënohen pa rezerva”.
“Të gjitha përpjekjet për të frikësuar apo kërcënuar oficerët e PK-së apo kadetët që fillojnë karrierën në polici duhet të dënohen pa rezerva. Ata që janë përgjegjës duhet t’i nënshtrohen me vendosmëri llogarisë”, ka shkruar Davenport.
Ai tutje është shprehur se misioni i OSBE-së mirëpret dhe mbështet aktivisht angazhimin e Policisë së Kosovës në rritjen e kontaktit me të gjitha komunitetet dhe prioritizimin e rekrutimit të kadetëve nga komunitetet joshumicë në mbarë Kosovën.