
Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë në fuqi sanksionet që i ka vendosur ndaj Kosovës.
Këto sanksione erdhën pas eskalimit të situatës në veri të vendit, ku kryetarët e zgjedhur hynë në objektet komunale me ndihmën e policisë.
Për një kohë të gjatë situata atje nuk ishte e qetë.
Por vetëm pas disa jave, saktësisht më 12 korrik Qeveria e Kosovës ra dakord me Bashkimin Evropian në disa pika për shtensionimin në veri.
Dakordimi Kosovë-BE erdhi në një takim joformal të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në Bratislavë, shkruan Front Online.
Në këtë marrëveshje në njërën prej pikave përmendet edhe shpallja e zgjedhjeve në veri.
Pikërisht, zgjedhjet janë bërë përsëri temë diskutimi.
Është pikërisht kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi i cili të hënën tha se zgjedhjet në veri duhet të shpallen atëherë kur Bashkimi Evropian largon sanksionet që ia ka vendosur Kosovës.
Lidhur me sanksionet, kushtëzimin ndaj BE-së, dhe zgjedhjet në veri për Front Online ka folur ish-shefi i negociatave me Serbinë, Avni Arifi.
Sipas tij, zv/kryeministri Bislimi më këtë që e ka kushtëzuar BE-së, po përpiqet që gjuhën parlamentare ta përdorë edhe jashtë Kosovës.
Arifi thotë se është vështirë që ta kushtëzosh Bashkimin Evropian.
“BE është bashkësi e fuqishme e shteteve shumë të fuqishme që vështirë kushtëzohen nga dikush. Natyrisht që askush në BE nuk e merr seriozisht, përkundrazi. Qëndrimi i ZVKM ishte një përpjekje që gjuhën parlamentare në Kosovë ta përdorë edhe jashtë Kosovës duke vendosë kësisoj edhe veten edhe Kosovën në pozitë qesharake”, ka thënë ai për Front Online.
Arifi: Qeveria po e bën veten partner të pabesueshëm të BE-së
Ish-ambasadori Avni Arifi derisa ka folur për shpalljen e zgjedhjeve në veri të vendit ka deklaruar për Front Online se Qeveria e Kosovës ka pranuar që këto zgjedhje duhet të mbahen.
Por, ka thënë se në marrëveshjen katër pikëshe nuk e din askush që a përfshihet edhe largimi i masave.
Sipas tij, Qeveria duke e vështirësuar procesin e zgjedhjeve po e bën veten partner të pabesueshëm me BE-në.
“Qeveria e Kosovës ka bërë marrëveshje që zgjedhjet do të mbahen por askush nuk është në dijeni që kjo marrëveshje ka pas të përfshirë në të, hjekjen e masave. Qeveria nuk po i shpallë zgjedhjet edhe pse e ka marrë për obligim gjetjen e formës ligjore ta bëj këtë. Duke e vështirësuar këtë proces Qeveria po e bën veten partner të pabesueshëm me BE-në”, ka shtuar Arifi.
Avni Arifi: Masat e BE-së, vështirë vendosen – por edhe më vështirë largohen
Ish-kryenegociatori Avni Arifi ka thënë se me qasjen të cilën është duke e treguar Qeveria e Kosovës ndaj BE-së, masat ka rrezik që mund të ashpërsohen.
Sipas tij, të njëjtat vështirë vendosen, por edhe më vështirë largohen.
“Nga praktikat e mëhershme kudo në botë masat vështirë vendosen por edhe me vështirë hiqen. Qeveria e kishte një shans të mirë që pas tërheqjes së policisë të shpallte menjëherë zgjedhjet por në vend të saj ajo u përfshi në debatin se si të shkarkohen Kryetarët aktual. Me këtë qasje që ka Qeveria aktualisht masat ka rrezik të ashpërsohen”, ka thënë ndër të tjera Arifi.
Hera e fundit kur u takuan dy kryenegociatorët Besnik Bilsimi dhe Petar Petkoviq u takuan më 19 korrik.
Ndërsa, sot Bashkimi Evropian i ka vlerësuar takimet e fundit në Bruksel mes të dërguarit të lartë për dialog Miroslav Lajçak me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq si “të vështira” dhe se ato “nuk kanë prodhuar rezultate të menjëhershme”./Front Online