Të kënaqur me dënimin ndaj Krivaqës, por jo me atë ndaj Sejdiut

16:18 | 04 Gusht 2023
te-kenaqur-me-denimin-ndaj-krivaqes,-por-jo-me-ate-ndaj-sejdiut

Me burgim të përjetshëm është dënuar i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani, Dardan Krivaqa nga Gjykata Themelore e Ferizajt. Ndërkaq, me 15 vite burgim u dënua shoku i tij, Arbër Sejdiu.

Për vendimin ndaj Krivaqës, të pranishmit në seancë duartrokitën. Megjithatë, jo njëjtë për atë ndaj Sejdiut.

Se a u dënua “në shkallë të ulët” i pandehuri Sejdiu, avokati Ardian Bajraktari vlerëson se një gjë e tillë duhet parë nga roli që i pandehuri kishte luajtur në ngjarjen e mësipërme.

“Shpresoj se sa i përket të pandehurit kryesor, gjykata t’i ketë administruar drejt provat dhe për rrjedhojë, ky dënim sigurisht meritor, të vërtetohet nga instancat tjera gjyqësore, nëse ndaj këtij vendimi do të ushtrohet ankesë. Kurse sa i përket të pandehurit të dytë, duhet parë se a është shqiptuar dënim konform rolit që ka luajtur ky i pandehur në rastin e privimit nga jeta të të ndjerës Marigona”, ka deklaruar ai.

Se a do ketë një rigjykim, Bajraktari vlerëson se e gjitha varet nga shqyrtimi i provave që do bëj Gjykata e Apelit.

“Duke qenë se ndaj pjesës së lartësisë së dënimit për të pandehurin e dytë është paralajmëruar ankesë, besoj fuqishëm se gjykata e Apelit do t’i shqyrtoj me kujdes provat, për të parë nëse janë përmbushur rrethanat nga neni 394, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, i cili ndër të tjera përcakton se: “Kur paraqitet ankesë në dëm të të akuzuarit, gjykata shqyrton sipas detyrës zyrtare nëse është bërë shkelje lidhur me shqiptimin e sanksionit penal sa i përket llojit të sanksionit që parashihet me ligj”. Në varësi të provave, shkalla e dytë do të vendos vet apo çështjen ta kthej çështjen në rigjykim për të vendosur drejtësinë në vend deri në fund për sa i përket këtij rasti”, ka vlerësuar ai.

I kënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj ndaj të akuzuarit kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit është ndarë babai i të ndjerës.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Muhabi Osmani ka deklaruar se ndonëse u nda i  kënaqur me vendimin e gjykatës për caktimin e burgimit të përjetshëm ndaj Krivaqës, një ankesë do ta paraqesin ndaj vendimit të të akuzuarit të dytë.

“Jemi të kënaqur”, deklaroi ai. Kur u pyet për vendimin e shqiptuar ndaj Sejdiut, ai deklaroi se “Do të paraqesin ankesë”.

Njësoj deklaroi edhe avokati i familjes së Marigona Osmanit.

Gazmend Rexhepi ka paralajmëruar ankesë pas aktgjykimit të shpallur nga Gjykata për të akuzuarit e vrasjes së 18-vjeçares Marigona Osmani.

Në një fjalë para mediave, Rexhepi ka deklaruar se sikurse i akuzuari kryesor, Dardan Krivaqa, edhe i akuzuari Arbër Sejdiu meritonte burgim të përjetshëm.

“Akuzuari i dytë është kokë e këmbë i bashkëngjitur në bashkëkryerje, jo në ndihmë. Sepse këtë e vërtetojnë edhe provat e video-incizimet, sepse në bazë të tyre ka pasur raste ku i akuzuari i parë ka dalë nga banesa dhe viktima ka qenë në dhomë nudo dhe  i akuzuari i dytë ka hyrë aty. Ka qenë direkt i përfshirë në vrasje. Unë do ta paraqes ankesën, qëndroj prapa pretendimeve të mia që të dy të akuzuarit meritojnë burim të përjetshëm”, ka deklaruar ai.

Tutje, Rexhepi ka theksuar përsëri se vrasja e të ndjerës mbetet vrasja më e rëndë në periudhën e pasluftës, sepse kronologjia e kësaj vrasjeje ka zgjatë 72 orë më herët se ajo të ndërrojë jetë.

Në Gjykatore u thanë edhe kërcënime.

“Shpejt shkojnë 15 vjet”, iu tha Sejdiut nga ana e familjarëve të së ndjerës.

Se dënimi ndaj Sejdiut është i ulët kanë thënë edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK).

“RrGK mirëpret vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj për ta dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, i akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit. Megjithatë RrGK mendon se dënimi prej 15 vjet burgim kundër Arbër Sejdiut është i ulët për veprën dhe pasojat që janë shkaktuar dhe të njëjtit është dashur që t’i shqiptohet dënimi kapital prej 25 vjetësh sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kanë deklaruar nga RRGK.

Të njëjtat kanë deklaruar se rasti do vazhdoj të monitorohet nga ana e tyre.

Dënim maksimal u kërkua edhe para fillimit të seancës gjyqësore.

Komento: