Kryesindikalisti i zjarrfikësve: S’kemi lënë institucion pa trokitur, askush nuk merret me ne

18:27 | 04 Gusht 2023
kryesindikalisti-i-zjarrfikesve:-s’kemi-lene-institucion-pa-trokitur,-askush-nuk-merret-me-ne


Zjarrfikësit po përballen edhe me mospagesë për rrezikshmëri.

Kështu ka thënë për Front Online, kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka.

“Edhe, tash së fundmi edhe rrezikshmëria nuk është duke u kompensuar, kështu që kjo situatë ka bërë që zjarrfikësit të jenë me të vërtetë të shqetësuar me gjendjen e tyre dhe ne jemi të obliguar që të shprehim zërin e tyre dhe gjendja në të cilën jemi ne, detyrimisht do të jemi të obliguar të ngremë zërin dhe të shprehim pakënaqësitë me organizmin e protestave që zjarrfikësit njëzëri e kërkojnë”, ka deklaruar Beka për Front Online.

Ai thotë se nuk kanë lënë institucion pa trokitur, por se askush nuk merret me ta.

“Ne ju kemi drejtuar institucioneve, ju kemi drejtuar Qeverisë së Kosovës që urgjentisht së paku fillimisht të ndërpriten ato diskriminimet që me ligj ju takojnë dhe mandej hap pas hapi të bëhet zgjidhja edhe e statusit, ligji për zjarrfikësit është duke u hartuar mirëpo është vonuar. Zjarrfikësit edhe në vitin 2024 do të mbesin pa buxhet dhe me të vërtetë kjo gjendje e krijuar kur s’kemi lënë institucion pa trokit, derë nuk kemi lënë pa trokit dhe askush mos të merret me këtë çështje kjo është e pakuptimtë”, është shprehur ndër të tjera Beka.

Kurse, sa i përket shtesës për rrezikshmëri thotë se ka kërkuar përgjigje në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por se nuk e ka marrë deri më tani një të tillë.

“Nuk kemi marrë informata, unë ju kam drejtuar me shkresë, nuk kam marrë asnjë përgjigje. I kam thirr edhe zv. ministrat e MPB-së, me ministrin kam kontaktuar më ka thënë drejtoju zv. ministrit sepse jam i zënë me gjendjen në veri, ju kam dërguar e-maila zyrtare, kam dërgu thirrje, asnjë përgjigje nuk e kemi marrë”, ka shtuar ai.

Sipas tij zjarrfikësit, pos kësaj po përballen edhe me mungesë të pajisjeve dhe se gjendja e tyre është e paqëndrueshme.

Komento: