
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ishte sot nikoqir i Senatorit amerikan, Jack Reed, njëherësh kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e ShBA-së, që në këtë takim po shoqërohej nga Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Me këtë rast, ai e falënderoi atë personalisht, për përfshirjen e Kosovës në Aktin fiskal të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, që ia mundëson Kosovës të jetë pjesëmarrëse në ushtrime ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të rritur ndërveprimin dhe përshtatshmërinë me trupat e NATO-s.
Përveç kësaj, ai e njoftoi Senatorin Reed edhe për zhvillimet e fundit, arritjet kryesore të vendit dhe sukseset e qeverisjes, duke ndarë me të të dhënat më të fundit të treguesve ekonomikë dhe demokratikë që dëshmojnë progresin e arritur.
Senatori Reed u shpreh falënderues për mikpritjen. Ai veçoi vendimin dhe vullnetin e Republikës së Kosovës për strehimin e qytetarëve afganë, duke shprehur mirënjohjen e tij.
Ndër të tjerash, tha se mbështetja ndaj Kosovës në vitin 1999 ka qenë një nga veprimet më të çmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që vlerësoi progresin që ka arritur Kosova dhe dha mbështetjen e tij për rezultatet pozitive.