
Javë më parë në media janë publikuar disa audio-incizime të shefes së GP-së të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lilës dhe Slavko Simiqit të Listës Serbe.
Lidhur me këtë ish-ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku, ka thënë se këto janë skandali i radhës e kësaj qeverie.
Sipas tij, këto dëshmojnë ndikimin që kanë elementet kriminale që kontrollohen nga Serbia në vendimmarrjen tonë shtetërore.
“Përgjimet janë skandali i radhës që dëshmon për bashkëpunimin dhe koordinimin e qeverisë Kurti me elementë kriminale që kontrollojnë listën Serbe në Kosovë. Këto përgjime dëshmojnë se sa e brishtë është siguria e jonë kombëtare dhe çfarë ndikimi kanë elementet kriminale që kontrollohen nga Serbia në vendimmarrjen tonë shtetërore. Dorëheqja do të ishte një akt i padiskutueshem fillestar, ndërsa organet përgjegjëse të sundimit të ligjit duhet ti zhvillojnë hetimet e tyre të thella për këtë rast dhe të gjitha skandalet tjera”, ka deklaruar ai për Front Online.