Debati për SHIK-un mes deputetëve të Partisë Social Demokrate dhe Vetëvendosjes pritet të vazhdoj edhe sot.
Deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe ata të Partisë Social Demokrate s’janë duke pushuar duke akuzuar njëri-tjetrin se ishin pjesë të Shërbimit Inteligjent të Kosovës.
Dardan Molliqaj i PSD-së ishte i pari që nisi akuzat në drejtim të shefit të grupit parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca. Ky i fundit u akuzua nga Dardani se ishte pjesë e organizatës të cilën e udhëhiqte Kadri Veseli.
Ndërsa, Konjufca ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë. Mirëpo, ai në një emision televiziv, ka treguar se pjesë e SHIK-ut ishte nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti e PSD-së.
Indeksonline ka provuar disa herë të kontaktoj me deputeten Dërguti, mirëpo e njëjta nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.
Ndërsa, jo zyrtarisht mësohet se deputetja e apostrofuar si pjesëtare e SHIK-ut do të flas në seancën e sotme parlamentare.
Vlen të theksohet se në rend dite sot janë interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, ajo e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Seanca nis në ora 10:00.