Pacientët me virozë/ Deri në 400 raste brenda 24 orëve në QKMF kryesore në Prishtinë

07:59 | 06 Shtator 2023
pacientet-me-viroze/-deri-ne-400-raste-brenda-24-oreve-ne-qkmf-kryesore-ne-prishtine

Ka disa javë që numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore si shkak i një viroze ka shënuar rritje në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Numri i atyre që kërkojnë shërbime në këtë QKMF brenda ditës shkon mbi 400.

Kjo pasi është përhapur një virus me barkqitje dhe vjellje.

Lidhur me këtë ka folur për Front Online, doktoresha e kësaj QKMF, Drita Peqani.

Peqani tha se numrin i të prekurve nga ky virus është shtuar edhe nga fluksi i madh i mërgimtarëve.

“Numri i pacientëve është shumë i rritur pasi ka pasur një fluks shumë të madh të bashkatdhetarëve tonë nga shtetet e ndryshme evropiane dhe botërore dhe numri është rritë dhe prej helmimeve me ushqim dhe prej një virusi që ka qarkulluar vazhdimisht. Nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 20:00 kemi deri 350 pacientë edhe në ndërrimin e natës diku 100 pacientë”, thotë Peqani.

Doktoresha Peqani ka treguar disa nga simptomat e virusit.

“Kjo virozë është manifestuar me vjellje barkqitje, molisje, turbullim, gërrqe në stomak, ngritja e temperaturës që ka sjellë deri tek dehidrimi dhe humbja e lëngjeve”, tregon Peqani.

Peqani deklaroi se mosha më e prekur janë të rinjët.

“Nuk i ka kursyer asnjë moshë edhe fëmijët, mosha mesatare të rinjtë dhe moshat e shtyra të gjitha janë atakuar nga ky virus por më së shumti të rinjtë janë prekur nga ky virus”, u shpreh ajo.

Ajo dha edhe disa këshilla për parandalimin e këtij gripi.

“Pacientët duhet të kenë kujdes në ushqim që mos të shkojnë deri në helmimin e ushqimit të jenë gjithmonë të freska të ruhen në temperatura me kushte optimale. Të konsumohen ushqimet pa yndyra, ushqimet të jenë me fruta dhe zarzavate të ndryshme dhe të konsumohet sasi e madhe e ujit”, përfundoi Peqani për Front Online.

 

Komento: