
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, për shkak mungesës së anëtares së trupit gjykues, Raima Elezi ka dështuar të mbahet rigjykimi ndaj gjeodetit të Komunës së Prizrenit, Bajram Selmani i cili po akuzohet për korrupsion.
Lidhur me mungesën e gjykatëses Elezi, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha njoftoi se e njëjta mungon për shkaqe personale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mungesa e kushteve ligjore bëri që kjo seancë të shtyhet, ndërsa seanca e radhës është caktuar të mbahet më 14 nëntor 2023.
Prezentë në seancë ishin prokurori Mehdi Sefa, i dëmtuari Gjek Gjevlekaj, i akuzuari Selmani dhe mbrojtësi i tij, avokati Hazër Susuri.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, të akuzuarin Selmani më 15 nëntor 2021 e ka dënuar me 8 muaj burgim dhe 1 vit ndalim të ushtrimit të profesionit, ndërsa të akuzuarën Luljeta Rizanaj e ka liruar nga akuza.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2022 e ka kthyer rastin në rigjykim për të akuzuarin Bajram Selmani, derisa për të akuzuarën Luljeta Rizanaj e ka vërtetuar pjesën liruese të aktgjykimit të Themelores.
Sipas vendimit të Apelit, aktgjykimi i Themelores sa i përket të akuzuarit Selmani është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe se i njëjti është i përfshirë në kontradikta sa i përket dispozitivit dhe arsyetimit, se mungojnë arsyet për faktet vendimtare dhe së njëjtat nuk janë në pajtueshmëri me provat dhe shkresat e tjera në lëndë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 28 shkurt 2, i pandehuri Bajram Selmani, po akuzohet se si gjeodet i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij, në kundërshtim me kornizën e punës të Agjencionit Kadastral të Kosovës, për standardizimin e matjeve kadastrale, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, nga fshati Karashëngjergj në Komunën e Prizrenit, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj, në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave 488 dhe 518 ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj.
Tutje thuhet se me këtë rast, parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.
Kurse, Luljeta Rizanaj, akuzohej se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, gjeodete në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e saj, ashtu që me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.
Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se e pandehura Rizanaj si gjeodet bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.
Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij, Rizanaj bën ndarjen e parcelave me aktvendimin 07-942/05-176194/T, më 12 shkurt 2018.
Me këto veprime, sipas aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit Bajram Selmani po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.