
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala për Front Online thotë se Ligji për Paga ka goditur më së shumti sektorin e sigurisë dhe atë të arsimit.
Ai thotë se ky ligj tregon logjikë jo të shëndoshë.
“Sektorët më të goditur me Ligjin e Pagave kanë qenë sektorët e sigurisë dhe arsimit të lartë, është habitshme cila është logjika e shëndoshë që të godasësh sektorët më primar të funksionimit të shtetit që është sektori i sigurisë, policisë, dhe trupave të tjera të mbrojtjes”, u shpreh ai.
Për këto pakënaqësi të sindikatave, Shala thotë se nuk kanë gjetur mirëkuptim te pushteti.
“Nuk kemi gjetur mirëkuptim, as në komisione, as në nivel grupesh parlamentare dhe realisht kërkesat sindikale janë krejtësisht legjitime. Goditja me Ligjin e Pagave ka qenë dhe do të mbetet njëra nga goditjet më jomeritore për këto kategori që i kanë shfrytëzuar”, deklaron Shala.