
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq takimin e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi e mbajtën më 2 maj.
Takimi i radhës do të zhvillohet sot në Bruksel.
Lajmin për mbajtjen e këtij takimi e ka bërë të ditur përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Prej rritjes së tensioneve në veri, takimi i sotshëm është i pari mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Por çfarë pritët të ndodh në këtë takim, për Front Online ka folur ish-zv. ministri i Jashtëm i Kosovës, Anton Berisha.
Ai thotë se nuk pret asgjë të veçantë në takimin Kurti-Vuçiq.
Berisha tha se palët nuk po kanë interes t’i zbatojnë marrëveshjet e Ohrit.
“Palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet nëse gjendja në teren nuk ndryshon, takimi do të jetë njëri ndër takimet të shumta të radhës. Nuk pres diçka ty veçantë se palët nuk po tregojnë interes t’i zbatojnë marrëveshjet”, u shpreh Berisha.
Takimet në Bruksel mes dy palëve, sipas Berishës, po ndodhin për ta shtyrë procesin e dialogut.
Berisha tha se Kurti po e dëmton Kosovën me zvarritjen e procesit së marrëveshjeve të dakorduara.
“Tash jemi në një fazë të trysnisë ndërkombëtare dhe palët shkojnë atje të tregojnë kinse kanë interesim për dialog. Këto takime janë blerje kohe për ta shtyrë procesin dhe kjo është në interes të Serbisë dhe jo të Kosovës. Kurti është duke e dëmtuar Kosovën me zvarritjen e procesit të marrëveshjeve se ne jemi nën masa ndëshkuese nga BE”, përfundoi Berisha për Front Online.
BE-ja të martën ka deklaruar se takimi trepalësh do të mbahet pas takimeve që Borrelli e Lajçaku do të kenë ndaras me liderët e të dyja shteteve.
Në komunikatë bëhet e ditur se takimet do të nisin në orën 9 të mëngjesit, e pas takimeve bilaterale, do të jetë takimi trepalësh.
“Takimi do të jetë i fokusuar në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”, thuhet në njoftim.
Pas takimeve do të ketë deklaratë për media nga Borrelli. /Front Online/