
Komuna e Ferizajt ka deklaruar se zyrtari komunal i arrestuar të mërkurën, dyshohet për projektin e vitit 2016 për rregullimin e Stadiumit “Ismet Shabani” në Ferizaj
Policia e Kosovës ka arrestuar sot zyrtarin komunal të Komunës së Ferizajt, S.B., i dyshuar për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në lidhje me projektin e vitit 2016, të rregullimit të stadiumit futbollistik të qytetit “Ismet Shabani” në Ferizaj.
Më pas, Komuna e Ferizajt, deklaroi se dyshimet mbi të cilat është bërë arrestimi i zyrtarit komunal të lartcekur, “janë për një investim të vitit 2016, pra të qeverisjes së kaluar”.
Andaj, Komuna e Ferizajt tha se “çdo dezinformim apo lidhje me qeverisjen e tanishme, nga qarqe e eksponentë politik opozitar, është tentativë e hapur për mashtrim të opinionit publik, për pak vëmendje mediatike apo politike”.
“Komuna e Ferizajt, rezervohet të komentoj çfarëdoqoftë mbi ecurinë e zhvillimet e hetimeve mbi këtë rast, duke mundësuar organet hetimore dhe të drejtësisë të bëjnë punën e tyre, konform legjislacionit në fuqi”.