Deputeti i PDK-së: Albin Kurti si Kim Jong Un, po e përfundon mandatin si i dështuar

17:17 | 22 Shtator 2023
deputeti-i-pdk-se:-albin-kurti-si-kim-jong-un,-po-e-perfundon-mandatin-si-i-deshtuar

Takimi i 14 shtatorit në Bruksel vazhdon të jetë ende në qendër të vëmendjes.

Kjo, për shkak se i njëjti përfundoi pa rezultat.

Pas takimit, përfaqësuesit e BE-së deklaruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm për të çuar procesin përpara.

Por, ndryshe nga ta është shprehur Kurti.

Ai ka deklaruar se në takim kishte paraqitur një plan për zbatimin e marrëveshjes, por që i njëjti është refuzuar nga Serbia dhe evropianët.

Për këtë takim dhe për çështje të tjera për Front Online ka folur deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

Ai ka thënë se secili kryeministër i Kosovës duhet të mbrojë interesat e qytetarëve dhe duhet të zotohet që marrëveshjet e arriturat të zbatohen.

“Mendoj se Kosova ka marrë obligime pas shpalljes së pavarësisë prej pakos së Ahtisarit e deri sot e edhe me dialogun dhe mendoj që pavarësisht kush bëhet kryeministër, kush e përfaqëson Kosovën duhet t’i mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës dhe në të njëjtën kohë duhet të zotohet që marrëveshjet paraprake t’i zbatojë e të cilat janë në interes të vendit. Ne e kemi parë që ky kryeministër nuk ka pas ndonjë strategji as për ekonomi, as për diplomaci”, ka deklaruar deputeti Beqa.

Sipas Beqes, Kosova ka dështuar në çdo sferë duke përmendur ekonominë diplomacinë, sundimin e ligjit e çështje të tjera.

 

Deputeti Hajdar Beqa: Punët do t’i kishim më mirë, sikur mos të kishim ministre të jashtme

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa për Front Online ka folur edhe për përfaqësimin diplomatik të Kosovës.

Edhe për këtë ka thënë se Kosova ka dështuar.

Madje, sipas tij vendi do t’i kishte punët më mirë sikur të mos kishim fare ministre të Jashtme.

“Në aspektin e jashtëm, nuk kemi përfaqësim diplomatik, e kemi një ministre e cila vetëm ministre e jashtme nuk është, ndoshta më mirë do t’i kishim punët mos me pas ministër të jashtëm hiq, nuk kemi asnjë njohje, nuk kemi anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare kredibile, nëse e shikojmë më shumë kanë pas udhëtime deri në Greqi dhe Greqia ende nuk ka njohur. E dimë që nuk varen njohjet ndoshta prej neve”, ka deklaruar ai.

 

 

 

Beqa: Kurti e ka vendosur në qendër të dialogut Asociacionin

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa në një intervistë për Front Online ka thënë se veprimet e kryeministrit Albin Kurti me veriun e vendit e kanë kthyer Kosovën mbrapa dhe tash më atje kemi më pak sovranitet.

Sipas tij, derisa marrëveshja përfundimtare me Serbinë kishte njohjen në qendër Kurti e ka larguar këtë dhe në qendër e ka vendosur Asociacionin.

Dhe, se krejt kjo siç thotë Beqa i shkon në favor Serbisë.

 “Sa i përket dialogut ne e kemi ditë që para se me ardhë ky kryeministër qëndrimi i shtetit të Kosovës, qëndrimi i përfaqësuesve të Republikës së Kosovës në dialog ka qenë që të kemi një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke në qendër, ku hyjnë edhe këto marrëveshjet tjera, kurse kryeministri e ka hjek njohjen në qendër dhe fatkeqësisht e ka pru një Asociacion në qendër dhe ne e kemi parë tani se si ka dështuar në takimin e fundit sepse ka nënshkruar një marrëveshje në Ohër edhe tani ky po thotë krejt problemi është a me u zbatuar pika 1,a 3 a 4, por asnjëra nga këto nuk e përfshin njohjen reciproke dhe nuk e përfshin marrëveshjen përfundimtare, por e shtin Kosovën një status-qou e cila i shkon në favor Serbisë e jo Kosovës”, ka thënë Beqa.

 

 

Deputeti Beqa: Kryeministri Kurti duhet të jap dorëheqje

Pas dështimeve të njëpasnjëshme që po ndodhin në dialog kryeministri Albin Kurti duhet të jap dorëheqje.

Kështu, po mendon deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

Sipas tij, Kurti duhet të jetë më serioz dhe duhet ta luajë rolin e kryeministrit.

“Unë mendoj që Kurti është dashtë dhe duhet që pas këtyre dështimeve përveç se duhet me dhënë dorëheqje mendoj se duhet t’i fitojë liderët e partive tjera politike të koordinohet me ta për datën e zgjedhjeve dhe në të njëjtën kohë të koordinohet me ta si ta ketë një strategji të përbashkët në raport me Serbinë sepse Serbia e ka bërë dëmin në Kosovë, ka bërë gjenocid në Kosovë, ka bërë vrasje në Kosovë, ka bërë dhunime në Kosovë, ka bë shpërngulje dhe në një far forme po mundohet që ta luaj viktimën, kurse ne si të dëmtuar nuk po mundemi me qit fitoren në Bruksel”, ka thënë Beqa për Front Online.

 

 

Deputeti i PDK-së: Kurti do ta bëjë Asociacionin

Njëra prej çështjeve e cila po e mban pezull dialogun është çështja e Asociacionit.

Pikërisht, kjo temë u bë “mollë sherri”, që në takimin e 14 shtatorit në Bruksel të mos ketë ndonjë rezultat.

Por, deputeti Hajdar Beqa thotë se kryeministri Kurti do ta bëjë Asociacionin.

Asociacionin sipas tij, Kurti nuk mund ta bëjë vetëm nëse rrëzohet.

“Nëse i vjen shanca po, vetëm nëse rrëzohet. Kurti, e ka të garantuar që nuk mund t’i ikë, përkundrazi çdo marrëveshje që ka negociu ose rinegociu Kurti e ka dëmtu. Edhe Asociacioni ka qenë në kuadër të Kushtetutës, dhe ne e pam edhe kryetarin e Kuvendit që tha se nëse ne mund të arrijmë marrëveshjen që ishte në vitin 2013. Çdo marrëveshje që ne po e rinegociojmë po dëmtohet Kosova e jo Serbia”, ka deklaruar Beqa për Front Online.

 

Zhdukja e opozitës/ Hajdar Beqa: Kurti po bën deklarata të liderëve të regjimeve, sikur Kim Jong Un

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë ditë më parë se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i konvenojnë as qeverisë dhe as opozitës.

Sipas tij opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet, sepse i humb. E qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse zhduket opozita.

Këto deklarata të tij, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa i quan të papjekura.

Madje thotë se deklarata të tilla janë të liderëve të regjimit, duke përmendur Kim Jong Un.

“Realisht këto janë deklarata të papjekura, nuk janë të një lidershipi. Fatkeqësisht nëse e marrim të kaluarën këto janë deklarata të liderëve të regjimeve, nëse kish thënë Kim Jong Un apo në ndonjë shtet tjetër kish ndodhë një deklaratë e tillë ndoshta ish pranu, por nuk pranohet në Kosovë, nuk pranohet në Ballkan, nuk pranohet në pjesën e Evropës, nuk pranohet në një vend ku është demokraci e re siç është Kosova”, ka thënë Beqa për Front Online.

Sipas tij, zhduka nga Vetëvendosja është përmendur qysh në zgjedhjet lokale, kur thonin se do t’i fitojmë 34 komuna.

Beqa, thotë se nëse vendi shkon në zgjedhje Vetëvendosja nuk do të del më parti e parë.

“Ne po i kërkojmë zgjedhje, i ka numrat me na qu në zgjedhje, ta fton një seancë të jashtëzakonshme dhe ta rrëzojmë qeverinë edhe po shkojmë në zgjedhje dhe do ta shohim kush zvogëlohet e kush rritet. Unë jam shumë optimist që Kurti e din që nuk ka shanca më me dal partia e parë”, ka shtuar ai.

 

 

Hajdar Beqa: S’i kemi numrat për rrëzim të Qeverisë “Kurti”

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa në një intervistë për Front Online ka pranuar faktin që nuk i kanë numrat për ta rrëzuar Qeverinë Kurti.,

Por, ka thënë se për këtë janë duke punuar ditë e natë.

Sipas tij, sa më shpejtë që kjo qeveri shkon në shtëpi, do të jetë më mirë për qytetarin e Kosovës.

“Ne nuk i kemi numrat me rrezua Qeverinë nuk diskutojmë sot për rrëzim të Qeverisë, po flasim për listat për projektet, për programet e Qeverisë së ardhshme më në krye Partinë Demokratike dhe me kryetarin e partisë Memli Krasniqi. Ne me i pas numrat flasim për të ardhmen, ne fatkeqësisht ende nuk i kem numrat dhe jemi duke punuar natë e ditë që kjo qeveri të shkon në shtëpi sa më shpejtë. Sa më shpejtë kjo qeveri që shkon në shtëpi dëmi është më i vogël dhe interesi i qytetarëve të Kosovës është më i madh”, ka thënë Beqa./Front Online

Komento: