Këshilltari i Veselit tallet me deputetët: Pleqtë e kuvendeve kanunore, më të edukuar se deputetët e sotëm

14:50 | 18 Prill 2019

Këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veselit, Blerim Latifi ka bërë një krahasim interesant midis deputetëve dhe pleqve të odave.

Filozofi i njohur kosovar vlerëson se pleqtë e kuvendeve kanunore kanë qenë më të edukuar se deputetët e sotëm, përcjell ORAinfo.

Ja postimi i plotë i Blerim Latifit në Facebook:

As me Kanun as me Demokraci

Akuzat dhe dhe ofendimet bizare që janë bërë normalitet në Kuvendin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, janë tregues të qartë të faktit se kemi ngecur në gjëndjen, të cilën Noli, gati 100 vjet më parë, e quante “anarki morale”.

Në anarkinë morale nuk vlejnë as normat e etikës kanunore, e as normat e etikës së demokracisë moderne.

Kur e dëgjon gjuhën e kontaminuar të shumë deputetëve në Prishtinë e Tiranë, atëherë e kupton se pleqtë e kuvendeve të
Kanunit kanë qenë më të edukuar dhe më të afërt me standardet morale të diskutimit demokratik, se që janë këta deputetë.

Kanuni i Lekës i sanksiononte qartë këto standarde:

1.Fjala e randë nuk bahët në Kuvend.

2. Kanuja s’ban qe të shahet kush në Kuvend.

3.Po i tha kush kuj në Kuvend se rrenë, do të gjobitet.

Dhunën e ushtruar në Kuvend, Kanuni e sanksiononte me dënime kapitale.

Këto standarde etike të kuvendeve kanunore nuk janë të rastësishme. Ato janë pjesë e një trashëgime të vjetër, ku bëjnë pjesë demokracia e vjetër greke dhe republika romake. Në këtë trashëgimi e gjejmë pikënisjen e historisë madhështore të demokracisë perëndimore.

Komento: