
Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka reaguar në lidhje me sulmin në veri të Kosovës, ku një polic i Kosovës është vrarë. Ky dikaster dënon këtë akt të tmerrshëm, duke kërkuar që autorët e krimit të sillen para drejtësisë.
MPJ-ja malazese ka shprehur ngushëllime për familjen e policit të rënë në detyrë, gjersa edhe ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
“Mali i Zi dënon ashpër sulmin e sotëm ndaj policisë së Kosovës. Shprehim ngushëllime për policin e vrarë në detyrë, ndërsa të plagosurve u urojmë shërim”, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Malit të Zi.
Njëherit, edhe Ministria e Jashtme e Zvicrës ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe ka bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje duke kërkuar që përgjegjësit e këtij akti të sillen para drejtësisë.
“Zvicra dënon fuqishëm sulmin e tmerrshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe bën thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje; ata që janë përgjegjës për këtë akt të tmerrshëm dhune duhet të sillen para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e MPJ zvicerane.
Ndryshe, kujtojmë se sot në orët e hershme të mëngjesit, një grup i organizuar dhe i armatosur ka hapur zjarr ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ku si pasojë një polic ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të lënduar.