Kearns kishte alarmuar për armët e kontrabanduara

21:08 | 24 Shtator 2023
kearns-kishte-alarmuar-per-armet-e-kontrabanduara

Deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila muaj më parë alarmoi për kontrabandim armësh nga Serbia përmes autoambulancave nëpër kishat ortodokse në Kosovë sot ka shprehur shqetësimin për sulmin e orkestruar ndaj forcave të rendit në Kosovë.

Duke iu referuar imazheve të publikuara në Manastirin e Banjskës, Kearns theksoi se imazhet fillestare sugjerojnë se personat e armatosur janë milici të financuara dhe të pajisura mirë, duke përfshirë edhe automjete të blinduara. Ajo tha se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. Por çfarë paralajmëroi muaj më parë Kearns në Parlamentin Britanik, skenar që duket se sot u zbatua.

Kishat ortodokse në Kosovë jo rrallëherë u keqpërdorën duke u bërë edhe strehë e krimit. Për këtë, muaj më parë ka alarmuar edhe deputetja britanike Alicia Kearns. Në një fjalim të mbajtur më 4 korrik para Parlamentit Britanik, Kearns ka alarmuar se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë përmes autoambulancave dhe të njejtat siç tha ajo po shkarkohen në kishat ortodokse. Këtë informatë, Kearns tha se e kishte edhe KFOR-i britanik.

“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona vihen në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – të papritura – një ambulancë veçse ka shkuar në kishë dhe ka shkarkuar përsëri të gjitha armët”, kishte theksuar Alicia Kearns.

Ndërkohë këto deklarime, Kearns i ripërsëriti më pastaj edhe në një intervistë ekskluzive për RTK-në. Ajo theksoi se pas kësaj deklarate kishte pranuar kërcënime nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq i cili kishte kërkuar hetime ndaj saj.

Kearns kishte shprehur edhe shqetësimin lidhur me politikat e vendit të saj karshi eksportit të armëve ndaj Serbisë duke kërkuar që të frenohen të gjitha eksportet në Serbi.

Komento: