Kurti: Lavdi Rreshter Bunjakut, rënia në detyrë është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri

19:48 | 25 Shtator 2023
kurti:-lavdi-rreshter-bunjakut,-renia-ne-detyre-eshte-nje-sakrifice-ne-betejen-e-kosoves-per-ligj-dhe-kushtetutshmeri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte sot në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, ku me ceremoni shtetërore u varros polici i rënë dje në krye të detyrës, Heroi i Republikës së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Para të pranishmëve të shumtë, familjarëve e kolegëve të të ndjerit, përfaqësuesve të institucioneve të vendit e atyre ndërkombëtare, kryeministri Kurti tha se rënia në detyrë e Rreshter Afrim Bunjakut i veshur me uniformën e Policisë së Kosovës, është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri, për drejtësi e të drejta, për çdo qytetar të Kosovës pa dallim.

Ai tha se heroizmin e Afrimit e “vazhduan sërish me profesionalizëm dhe vetëmohim kolegët e tij, policët e Kosovës, që i përballën grupet e armatosura kriminale e terroriste të Serbisë në veri të Kosovës”.

Kryeministri ndër të tjera tha se dhënia e jetës për popullin dhe tokën që të ka lindur dhe rritur është vepra më sublime që mund ta bëjë një njeri.

“Se dëshmori është grada më e lartë pas të cilës asgjë dhe askush nuk mund ta degradoj atë, dhe se pjesëmarrja në varrim është obligimi ynë i fundit për jetën e tij, kurse nderimi i veprës dhe vazhdimi i idealeve të saj, është obligimi i përjetshëm i ne të gjallëve për dëshmorët”.

Komento: