Ekspertët e sigurisë: Lista Serbe duhet të shpallet organizatë terroriste, mund të ketë edhe sulme tjera

16:41 | 27 Shtator 2023
ekspertet-e-sigurise:-lista-serbe-duhet-te-shpallet-organizate-terroriste,-mund-te-kete-edhe-sulme-tjera

Disa terroristë serbë e kanë sulmuar Policinë e Kosovës të dielën, duke lënë të vrarë një polic, një të plagosur dhe dy të lënduar.

Ministri Xhelal Sveçla të martën ka publikuar një video ku shihet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiqi, gjatë sulmit kundër Policisë në veri.

Për prezencën e Radoiçiqt në sulmin e së dielës, njohësit e sigurisë kanë kërkuar që Lista Serbe të shpallët organizatë terroriste.

Avni Islami, ekspert i sigurisë, thotë për Front Online se grupit terroristë i prinë Lista Serbe.

Ai ka bërë një krahasim me Ukrainën me ngjarjen në veri.

“Në skenë doli një grup i komanduar e strukturuar e armatosur mirë të cilët i ngjanin Ëagnerit në Ukrainë dhe pamjet filmike që dolën duke udhëheq Rajdoiçiqi grupin në Manastir kjo del që grupit ushtarak i prinë Lista Serbe”, theksoi Islami.

Islami ka treguar edhe elementet të cilat e shpallin grup terrorist Listën Serbe.

“Elementet të cilat e bëjnë një grup terrorist janë përdorimi i eksplozive, armët ushtarake, zjarrvënia eksploziv etj. Këto janë elementet të mjaftueshme për shpalljen e një organizate të një subjekti politik terrorist, duke e ditë që këtyre ju prinë Lista Serbe të gjitha kushtet i plotëson të shpallët terroriste kjo është e lidhur ngushtë me pushtetin në Serbi”, deklaroi Islami.

Islami thotë se institucionet nuk duhet të ndalen pavarësisht rreziqeve të grupeve kriminale.

Ai ka paralajmëruar se mund të ketë raste të tilla edhe në vijim.

“Lista Serbe bashkë me grupe kriminale nuk është hera e parë që kanë kryer akte terroriste kanë ndodh edhe më herët, askush nuk duhet të amnistohet dhe t’i lejohet që të bëjë akte të tjera, pavarësisht nga rreziqet që mund të ketë, institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgatitura dhe t’i luftojë deri në fund. Mund të ketë dhe të pritën raste të tilla”, thotë Islami për Front Online.

Drizan Shala: Institucionet t’i marrin veprimet për të shpallur Listën Serbe organizatë terroriste

Mendim të njëjtë si të Islamit, ka edhe njohësi tjetër i sigurisë, Drizan Shala.

Ai deklaroi për Front Online se institucionet duhet t’i marrin veprimet për ta shpallur Listën Serbe organizatë terroriste.

Shala ka kërkuar që të ketë hetime që të vërtetohet lidhja e këtij subjekti.

“Po institucionet duhet të ndërmarrin veprime bazuar në normative për të nisur procesin për të shpallur organizatë terroriste Listën Serbe. Por paraprakisht duhet të kryhen hetimet nga organet relevante të shtetit që do ta vërtetojnë lidhjen e këtij subjekti politik me grupin terrorist të Serbisë, u shpreh Shala.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar të mërkurën një dokument për të cilin thotë se është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.

Ai ka thënë se po shtohen dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që vrau policin Afrim Bunjaku.

“Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit. Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht. Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Komento: