
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten deklaroi se KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se kudo në shtetin tonë e para përgjigjet policia e pastaj KFOR e EULEX.
Njëjtë, sikurse Kurti thotë për Front Online edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.
Sipas tij, përgjegjëse për ruajtjen e integritetit dhe territorit të Kosovës është Policia e Kosovës.
“Edi Ramës nuk i takon me u deklarua në atë mënyrë edhe pse bartëse për ruajtjen e territorit dhe integritetit të Kosovës përgjegjëse është Policia e Kosovës edhe FSK-ja. KFOR-i sipas rezolutës 1244 e ruan kufirin, nuk e ruan rendin dhe sovranitetin e kushtetutshmërinë brenda territorit të Kosovës. Ata munden me qenë si shtyllë mbështetëse , por Policia duhet me qenë kryesorët për pjesën veriore të Mitrovicës”, ka thënë Mustafa, për Front Online.
Ish-ministri Mustafa: Sulmi në Banjskë organizim terrorist, u synua bllokimi i një pjese të territorit në veri
Të dielën nga një sulm i një grupi kriminal serb në Banjskë të Zveçanit, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Sulmin e së dielës, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa e quan organizim terrorist.
“Rasti i së dielës ka qenë një organizim terrorist, dhe me atë që e pash armatimi ka qenë në instanca të larta të cilin edhe ushtritë e shteteve të ndryshme nuk e kanë, ka qenë një sasi e madhe me një mobilizim për më shumë se 200 efektivë dhe ata kanë qenë të përgatitur që me sulmua territorin e Kosovës dhe me blloku një territor në veri të vendit”, ka deklaruar Mustafa, për Front Online.
Sipas tij, në atë ditë kur dhe ndodhi sulmi i grupit kriminal ndaj Policisë së Kosovës, kjo e fundit veproi në mënyrën më të mirë të mundshme se si duhet të veprojë një shtet demokratik.
“Policia dhe shteti i Kosovës ka vepruar si shtetet më demokratike dhe në mënyrën më të mirë që ka mujt me vepru një shtet. Nuk ka pas pasja në civil, kanë lokalizu vendin e ngjarjes, i kanë izolu terroristët, tash munden me fol dhe me akuzu njëri-tjetrin por vepra dhe intervenimi i Njësive Policore është për t’iu përulur dhe për t’i respektuar”, ka shtuar ai.
Ekrem Mustafa: Lista Serbe është terroriste, Vuçiqi e ka përkrahur aksionin
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa për Front Online ka thënë se deri vet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq merr pjesë në organizim terrorist, edhe vet partia është terroriste.
“Vet fakti që Milan Radojiçiq si nënkryetar i Listës Serbe merr pjesë në një aksion terrorist komplet partia serbe ose Lista Serbe është terroriste, ai është nënkryetar i asaj partie dhe me shpalljen e tri ditëve të zisë në Serbi për këtë organizim e ka marrë qeveria e Serbisë, sado që thotë Vuçiqi unë nuk jam i përfshirë në këtë aksion ai e ka përkrah aksionin”, ka deklaruar Mustafa.
Nga sulmi i grupit kriminal të dielën në veri të vendit, përpos rreshteri Afrim Bunjaku i cili mbeti i vrarë, u plagos edhe një pjesëtar tjetër i Policisë, ndërsa u lënduan dy të tjerë.
Ndërsa, deri më tani thuhet se nga grupi kriminal janë vrarë tre persona.
Por, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se nuk kanë bilanc të saktë për terroristët e vrarë, duke shtuar se kanë indikacione që janë më shumë se tre./Front Online