
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, me të cilët ka biseduar lidhur me zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës.
Sipas njoftimit të Presidencës, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë lidhur me situatën e fundit të sigurisë në Kosovë. Presidentja Osmani falënderoi për punën e shkëlqyeshme dhe profesionale, si dhe angazhimin e pashoq te Policisë së Kosovës.
Presidentja edhe njëherë ka shprehur vlerësimin e lartë për veprën e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, i cili u vra nga grupet kriminale e terroriste në veri të vendit.
Në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe për koordinimet me aleatët tanë dhe prezencën ndërkombëtare te sigurisë në Kosovë.
Për të diskutuar lidhur me zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe për koordinimet me aleatët tanë dhe prezencën ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, presidentja Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.