Osmani takon komandantin e KFOR-it dhe shefin e EULEX-it, flasin për sigurinë në veri dhe vijën kufitare me Serbinë

20:12 | 30 Shtator 2023
osmani-takon-komandantin-e-kfor-it-dhe-shefin-e-eulex-it,-flasin-per-sigurine-ne-veri-dhe-vijen-kufitare-me-serbine

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar komandantin e KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e EULEX-it, gjeneral major Giovanni Pietro Barbano.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në lidhje me sigurinë në Kosovë, me theks të veçantë në veri dhe vijën kufitare me Serbinë.

“Presidentja Osmani falënderoi komandantin e KFOR-it dhe shefin e EULEX-it për bashkërendimin dhe bashkëpunimin e afërt me institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, ajo mirëpriti vendimin e NATO-s për te shtuar numrin e ushtareve në kuadër të KFOR-it si sinjal i qartë ndaj Serbisë që të heq dorë nga destabilizimi dhe rrezikimi i sigurisë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Më tej, Osmani tha se Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj që sfidat aktuale të sigurisë t’i tejkalojë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.

Kujtojmë se sot, Osmani ka takuar edhe komandantin e FSK-së, gjeneral Bashkim Jasharin, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën.

Komento: