Kurti e Rama, raportet “akull” mes vete, liderëve u bëhet thirrje për afrim

19:03 | 16 Tetor 2023
kurti-e-rama,-raportet-“akull”-mes-vete,-lidereve-u-behet-thirrje-per-afrim

Që nga tensionimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, në fund të majit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur qëndrim kritik në raport me veprimet e institucioneve kosovare.

Kjo ka bërë që ai t`i ketë tepër të ftohta raportet e tij me homologun kosovar, Albin Kurti, i cili nuk ia ka mirëpritur mirë adresimet publike mbi Veriun.

Të dy i bashkoi të hënën Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë, por as aty nuk u pa ndonjë afrim i madh mes tyre, përjashto një shtrëngim duarsh disa sekondësh.

Marrëdhëniet jo të ngrohta mes tyre i ka vërejtur edhe Ramiz Lladrovci, ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri.

“Arsyet e kësaj akullnaje i shoh te qëllimet e veçanta se ku duan të arrijnë secili veç e veç, strategjia afatgjate e dallueshme dhe informacioni që disponojnë nga perspektiva shtetërore”, u shpreh Lladrovci për “Front Online”.

Sipas tij, raportet e zbehta të dyshes kryeministrore nuk i bëjnë mirë as shqiptarëve, as dy shteteve dhe as rajonit.

“Raportet e tyre nuk mund të pasqyrohen si raporte të dy partive, as të dy liderëve, andaj do përmirësuar menjëherë raportet ekzistuese duke hequr dorë nga inati, hakmarrja dhe egoja në këto raporte”, theksoi Lladrovci për Front Online.

Miqësinë jo të mirë mes Kurtit dhe Ramës e ka evidentuar edhe ish-ambasadori tjetër i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani.

“Një ftohje mes Ramës dhe Kurtit ekziston”, deklaroi Hasani.

Dy ish-diplomatët dhanë nga një këshillë për liderët andej e këndej kufirit.

“Dy kryeministrat shqiptarë njëri me tjetrin të japin dhe marrin në aspektin kombëtar në mbrojtjen e interesave shtetërore”, theksoi Hasani për Front Online.

“Mesazhi im për dy kryeministrat është ta forcojnë dhe ruajnë miqësinë me Amerikën, ta kujtojnë mesazhin e Skënderbeut me thuprat, aq më parë ta kujtojnë shekullin 20 dhe vuajtjet që na përcollën në të dy anët e kufirit”, potencoi në anën tjetër Lladrovci.

Pritshmëri të ngjashme nga kryeudhëheqësit presin edhe në Shqipëri.

“Qytetarët presin që dy liderët e tyre të flasin, të marrin vendine për ta dhe të përforcojnl lidhjen mes tyre, dhe jo të krijojnë ndasi të thella që mund të çojnë në një situatë të paprecedentë mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare”, theksoi për Front Online gazetari shqiptar, Isa Myzyraj.

Komento: