PDK-ja në Malishevë: Paratë e tatimpaguesve përfundojnë në xhepat e zyrtarëve të Nismës

20:05 | 17 Tetor 2023
pdk-ja-ne-malisheve:-parate-e-tatimpaguesve-perfundojne-ne-xhepat-e-zyrtareve-te-nismes

Partia Demokratike e Kosovës në Malishevë, nga e cila ka lindur edhe Nisma Socialdemokrate, nuk po pajtohet me asnjë nga rrugët që ndoqi komuna e Malishevës, e cila rrjedhimisht është edhe komuna e vetme në Kosovë që udhëhiqet nga partia e Fatmir Limajt.

Halit Zogajt i qan zemra se edhe punimet në rrugën “Ibrahim Mazreku”, por edhe kudo tjetër që u financuan me paratë e tatimpaguesve të malishevasve, përfundojnë në xhepat e familjarëve e miqve të partisë në pushtet.

Kësaj radhe ai, për KIKS-in ka theksuar se dyshimet e tij qëndrojnë edhe te kompania kontraktuese për ndërtimin e rrugës “Ibrahim Mazreku”.

Madje ai thekson se pretendimet e tyre i bazojnë në atë që kompania “World Medium sh.p.k” është njëra nga kompanitë, e cila fiton më së shumti projekte nga Komuna e Malishevës, kjo pasi Zogaj thekson se pronarët e saj kanë marrëdhënie të afërta me drejtuesit e komunës.

Për më tepër, Halit Zogaj, për KIKS-in ka ngritur dyshimet e tij se edhe kriteret nëpër tenderë janë vendosur në përputhje me kapacitetet që kjo kompani posedon.

Këto pretendime janë hedhur poshtë nga Komuna e Malishevës. Përmes një përgjigjeje me shkrim, ata kanë theksuar se të gjitha projektet i janë nënshtruar procesit të prokurimit.

Afërsinë me kompaninë që është duke e ndërtuar rrugën “Ibrahim Mazreku”, me zyrtarët komunalë të Malishevës, e ka mohuar edhe Burim Zabelaj, i cili është edhe pronari i kompanisë “World Medium”.

Në një intervistë për KIKS Kosovën, ai tha se pretendimi i tillë bie poshtë pasi që kompania e tij operon edhe në komuna të tjera, të cilat drejtohen nga parti të ndryshme politike.

Zabelaj pretendon se nëse një afërsi e tillë do të ekzistonte, kompania e tij do të kontraktohej edhe për projektin e ndërtimit të sheshit, si një ndër projektet më të mëdha në këtë komunë. /Klankosova.tv

Komento: