Musliu-Shoshi: Pezullimi i vizave mund të ndodhë vetëm nëse votojnë shtetet anëtare

20:08 | 17 Tetor 2023
musliu-shoshi:-pezullimi-i-vizave-mund-te-ndodhe-vetem-nese-votojne-shtetet-anetare


Deputetja e PDK-së, njëherit anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, ka deklaruar për Front Online se pezullimi vizave për Kosovën mund të ndodhë vetëm nëse votojnë shtetet anëtare për këtë.

“Pezullim mund të ketë vetëm nëse votojnë shtetet anëtare apo deklarohen zyrtarisht. Uroj të mos ndodhë”, ka pohuar Musliu-Shoshi.

Ajo, ka kërkuar nga Qeveria që të jetë mirë e koordinuar me ndërkombëtarët që një e drejtë siç është liberalizimi i vizave të mos ndodhë që të pezullohen.

“Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës është e drejtë e merituar dhe kontribut i të gjitha qeverive të mëparshme. Kjo e drejtë e qytetarëve të Kosovës është votuar në institucionin evropian përgjegjës, me ç’rast kemi marrë edhe përkrahje. Uroj që qeveria të jetë e mirë koordinuar me faktorin ndërkombëtar që një pezullim mos të ndodhë”, është shprehur deputetja Musliu-Shoshi.

Që Kosovës nuk mund t’i pezullohen vizat e ka thënë edhe drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha.

Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka zero mundësi që Franca në mënyrë unilaterale dhe krye në vete ta pezullojë liberalizimin e vizave.

Në prill të këtij viti, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u miratua edhe formalisht nga BE-ja dhe u botua në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian po të njëjtin muaj.

Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen.

Për ta pezulluar këtë vendim duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së.

Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtarë. Pastaj, vendet anëtare të Këshillit mund të votojnë për pezullimin e mundshëm.

Deri më tash vetëm një herë kishte ndodhur që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit./Front Online

Komento: