
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se është i shqetësuar nga fakti se Kosova mund të humbasë rastin e Banjskës në tavolinën diplomatike, dhe sipas tij kjo do t’i kushtojë shumë vendit.
“Çfarë kam parë edhe gjatë samitit edhe gjatë këtyre ditëve, deklaratat e qëndrimet e në fund edhe me presidentin Macron, frika imë është se Kosova po e humb rastin në tavolinën diplomatike të Banjkës. Atë që kemi thënë është një rast i mirë. Kjo është frika ime, këto janë sinjalet që unë po i shoh, mund të presim edhe pak kohë, mund të themi që ende nuk kanë përfunduar hetimet”, ka deklaruar Limaj për RTV Dukagjinin.
Limaj, ka reaguar edhe ndaj deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron në konferencën për media me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
“Ka shumë gjëra që kam parë, një pjesë është shqetësuese, një pjesë është e njohur paralajmëruese, drejtpërdrejt Macron bën thirrje për implementimin e marrëveshjes. Fjala e dhënë nënkupton marrëveshjen që janë dakodruar dhe që duhet të fillojnë ta zbatojnë, të paktën kështu kuptohet kjo pjesë”, ka thënë ai.