Gjykimi ndaj 20 policëve të veriut, prokurori tërhiqet nga vepra penale “marrje e ryshfetit”

08:21 | 21 Tetor 2023
gjykimi-ndaj-20-policeve-te-veriut,-prokurori-terhiqet-nga-vepra-penale-“marrje-e-ryshfetit”

Prokurori special, Burim Çerkimi ka bërë ndryshim të aktakuzës dhe është tërhequr nga vepra penale “marrje ryshfeti’ në gjykim ndaj 20 policëve të veriut, të cilët po akuzohen për korrupsion dhe kontrabandë me mallra në veri.

Në këtë rast po akuzohen Zvezdan Spasojeviq, Biljana Nedeljkoviq, Abdurrahim Haxhiq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Reshat Kuçi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovçi, Blagoje Lazoviq dhe Nebojsa Gogiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Çerkini ka thënë se nuk ka prova direkte të dhënies apo marrjes së parave ndaj të akuzuarve.

Ai ka thënë se ky rast kishte filluar bashkë me rastin e “Leposaviqit” që ka marrë formën e prerë e ku ishte hequr “marrja e ryshfetit” dhe kishte mbetur vetëm “keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.

Sipas tij, nuk mund të akuzohet një person për dy vepra penale kundër detyrës zyrtare dhe kjo është si rrjedhojë e vendimeve të gjykatave me rastin e “Leposaviqit”.

Pas ndryshimit të aktakuzës të akuzuarit Spasojeviq, Nedeljkoviq, Haxhiq, Maxhuni, Milunoviq, Kuzmanoviq, Mustafiq, Spasojeviq, Kompiroviq, Durleviq, Bahtiri, Pllana, Radunoviq, Kuçi, Tomasheviq, Tomoviq, Vujinoviq, Lazoviq dhe Gogiq u deklaruan të pafajshëm lidhur veprën penale që iu vihen në barrë.

Ndërkaq Merovçi u deklarua i fajshëm për veprën penale si në aktakuzë. Këtë deklarim të tij prokurori Çerkini dhe mbrojtësja e tij, avokatja Fatlume Korça – Sekiraqa i propozuan gjykatës që të aprovohet pranim i fajësisë nga ana e të akuzuarit Merovci.

Ky pranim i fajësisë u aprovua nga ana e trupit gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Mentor Bajraktari.

Më pas seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare, nga ana e prokurorit Çerkini, i cili e ka dorëzuar me shkrim dhe më pas të njëjtën e ka elaboruar.

Prokurori Çerkini ka thënë se nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, pa mëdyshje është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale si në dispozitivët të kësaj aktakuze.

Andaj i njëjti i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe ndaj të njëjtëve t’iu shqiptojë një dënim i paraparë me ligje me të cilin do të arrihet qëllimi i dënimit.

Prokurori Çerkini ka kërkuar nga gjykata që të pushohet procedura penale ndaj B.M dhe K.S, pasi që të njëjtit kanë ndërruar jetë.

Ndërkohë, prokurori është tërhequr nga ndjekja penale ndaj Nebojsha Gogiq me arsyetimin se nuk ekzistojnë elemente të veprës penale ndaj tij.

Kurse prokuroi Çerkini lidhur me të akuzuarin Merovci, i cili në këtë shqyrtim gjyqësor ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, ka kërkuar nga gjykata që t’i shqiptojë një dënim sa më i ulët duke aplikuar dispozitat e zbutjes së jashtëzakonshme të dënimit duke pasur parasysh se ka pasur cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues.

Po ashtu fjalën e tyre me shkrim e kanë paraqitur edhe mbrojtësit e shtatë të akuzuarve të cilët ia kanë dorëzuar me shkrim gjykatës dhe të njëjtat më pas i kanë elaboruar.

Për dallim nga prokurori mbrojtësit e të akuzuarve Spasojeviq, Nedeljkoviq, Haxhiq, Maxhuni, Milunoviq, Kuzmanoviq dhe Mustafiq, avokatët Ahmet Gjinovci, Dobrica Lazic, Albana Kelmendi, Naim Rudari, Nebojsa Vlajic, Jovana Filipovic dhe Arlinda Avdimetaj – Fejzullahu kanë kërkuar lirimin e të mbrojturve të tyre në mungesë të provave.

Të gjithë të akuzuarit, kanë mbështetur fjalën përfundimtare të mbrojtësve të tyre.

Më pas seanca e është ndërprerë ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet më 23 tetor 2023, ku pritet të vazhdohet me dhënien e fjalës përfundimtare nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tjerë.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 16 qershor 2020, 33 të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë, ndërsa dy të akuzuarit K.S, i cili ka ndërruar jetë dhe Nysret Jashari kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.

Bashkë me 20 policët e veriut, në këtë rast për kontrabandim me mallra janë të akuzuar Izet Jashari, Jeton Morina, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Nysret Jashari, Sabri Isufi, Xhevdet Jashari, Arben Isufi, Bajram Uka, Besnik Morina dhe Faton Isufi, mirëpo rasti ndaj tyre ishte veçuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 18 maj 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj 33 personave për dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje ryshfeti”, “kontrabandë me mallra”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Komento: