Kurti e Vuçiqi të enjten pritet të takohen me Macronin, Scholzin, Melonin e Borrellin

20:07 | 24 Tetor 2023
kurti-e-vuciqi-te-enjten-pritet-te-takohen-me-macronin,-scholzin,-melonin-e-borrellin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillojnë takime të ndara me katër liderët evropianë më 26 tetor në Bruksel.

Bashkimi Evropian konfirmoi se Kurti dhe Vuçiq janë ftuar në Bruksel në margjinat e samitit të Këshillit Evropian të enjten.

Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se plani është që në margjinat e këtij samiti, Kurti dhe Vuçiq të kenë takime të ndara me katër liderët evropianë, përfaqësuesit e të cilëve vizituan Kosovën dhe Serbinë më 21 tetor.

Sipas burimeve, plani është që “katër liderët, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell, të kenë takim të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e samitit të BE-së të enjten”.

Takime të të njëjtit format pritet të zhvillohet edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Komento: