Serbia kërkon që vetëm KFOR-i ta ruajë kufirin Kosovë-Serbi, jo Policia e Kosovës

16:01 | 25 Tetor 2023
serbia-kerkon-qe-vetem-kfor-i-ta-ruaje-kufirin-kosove-serbi,-jo-policia-e-kosoves

Serbia insiston që vetëm pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, të dislokohen në kufi, në anën e Kosovës.

Kështu u tha pas takimit që ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, zhvilloi më 25 tetor me homologun e tij turk, Jashar Guler, transmeton FrontOnline.

Turqia ka marrë komandën e KFOR-it në tetor.

“Ne fuqishëm inkurajojmë një komunikim të drejtpërdrejtë mes shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë dhe komandantit të KFOR-it dhe ne insistojmë që vetëm pjesëtarët e KFOR-it të jenë të pranishëm përgjatë vijës administrative nga ana e ‘Kosovës dhe Metohisë’. Po ashtu të vazhdojnë patrullimet e përbashkëta të pjesëtarëve të Ushtrisë Serbe me ata të KFOR-it përgjatë vijës administrative”, tha Vuçeviq.

Serbia, që nuk e njeh Kosovën, e quan vijë administrative vijën kufitare me Kosovën.

Kufiri i Kosovës me Serbinë ruhet nga Policia Kufitare e Kosovës dhe pjesëtarët e KFOR-it.

Vuçeviq tha se siguria në Kosovë “ishte tema kryesore e bisedës” me homologun e tij turk.

“Ne jemi të inkurajuar nga garancitë që morëm nga zoti Guler lidhur me sigurinë e komunitetit serb”, shtoi ai./FrontOnline/

Komento: