Konjufca pret në takim ambasadorin e Belgjikës, Cuvelier ia konfirmon mbështetjen e Brukselit edhe në të ardhmen

15:41 | 26 Tetor 2023
konjufca-pret-ne-takim-ambasadorin-e-belgjikes,-cuvelier-ia-konfirmon-mbeshtetjen-e-brukselit-edhe-ne-te-ardhmen

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Belgjikës në Kosovë, Grégoire Cuvelier, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale, bashkëpunimin midis dy vendeve dhe mundësitë e avancimit të mëtejmë të tij.

Duke e uruar për detyrën e re në krye të misionit diplomatik belg në Prishtinë, kryetari Konjufca falënderoi ambasadorin Cuvelier për mbështetjen e vazhdueshme qe shteti mik i Belgjikës ia ka dhënë Kosovës në shumë fusha, duke e konsideruar të nevojshme vazhdimin e kësaj përkrahjeje edhe në proceset aktuale nëpër të cilat po kalon vendi ynë.

Kreu i Kuvendit vuri në dukje agjendën e Republikës së Kosovës drejt integrimit euro-atlantik, sfidat e kësaj agjende dhe theksoi nevojën e përkrahjes nga vende mike, si Belgjika.

Duke e falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, ambasadori Grégoire Cuvelier konfirmoi mbështetjen e Brukselit zyrtar për Kosovën edhe në të ardhmen.

Në takim u diskutua gjithashtu për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, marrëdhënieve ekonomike e diplomatike midis dy vendeve./Front Online

Komento: