
Nënkryetari i Sindikatës së minatorëve të Trepçës, Destan Kërleshi ka treguar që gjendja shëndetësore e minatorëve në ditën e dhjetë të grevës është tejet e rënduar.
“Pothuajse po e kalojmë edhe ditën e 10-të të grevës së minatorëve në Stan Tërg. Gjendja e tyre shëndetësore është jashtëzakonisht e rënduar, vetëm gjatë ditës së sotme kanë kërkuar trajtim mjekësor 17 minatorë dhe nga data 24 tetor kanë kërkuar gjithsej 317 minatorë”, ka thënë ai, në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Info Plus” të RTK-së.
Ai ka treguar se pas trajtimit mjekësor, minatorët po rikthehen për të vazhduar grevën.
“Nga fillimi i grevës numri i minatorëve pothuajse është i njëjtë. Rreth 200 minatorë qëndrojnë në grevë duke përjashtuar rastet të cilët marrin trajtim mjekësor”, ka theksuar Kërleshi.
Ai ka treguar edhe për përpjekjet dhe negociatat që minatorët kanë pasur me strukturat qeverisëse për përmbushjen e kërkesave të tyre, e që përfshijnë përmirësim të kushteve të punës, pagë të rregullta, sigurime shëndetësore dhe largimin e kryeshefit të ndërmarrjes.
“Kemi qenë te Komisioni për Ekonomi, ku aty u dakorduam dhe të gjithë deputetët dhanë dritën jeshile që kërkesat të na plotësohen. Ata erdhën këtu rreth orës 9:00 dhe pesë orë kemi biseduar e nuk kemi arritur të gjejmë marrëveshje me minatorët për të vazhduar punën. Nuk kemi arritur një pajtueshmëri me shkrim. Vlen të theksohet se minatorët kanë qenë gjithmonë të hapur për biseda”, ka theksuar Kërleshi për RTK-në.