
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica në një intervistë për Front Online duke folur për sulmin e 24 shtatorit në Bansjkë të Zveçanit ka deklaruar se janë pikërisht Policia dhe njësitë elitare ato që e kanë penguar aneksimin e veriut.
“Sulmi terrorist i organizuar i strukturave të organizuara, të trajnuara, të udhëhequra nga shteti serb dhe institucionet e shtetit serb është atak në pavarësinë dhe në të gjitha vlerat që i ka ky shtet. Plani që ka pas ai grup terrorist për ta realizuar në bazë të programeve të strukturave shtetërore serbe ka dështuar vetëm falë njësive policore të Kosovës. Policia e Kosovës, njësitë elite, njësi të tjera të specializuara të vetme e kanë ndaluar dhe kanë penguar aneksimin e veriut të Kosovës siç ka qenë në plan”, ka pohuar ai.
E, derisa e ka thënë këtë deklaron se s’ka turp më të madh që pikërisht këta që mbrojnë vendin nuk po trajtohen dinjitetshëm nga shtetit.
“A ka më turp për këtë shtet dhe për këto institucione, presidenten, kryeministrin njësitë më elite që ka jo vetëm Kosova po që edhe regjioni nuk ka njësitë të tilla të protestojnë për paga dhe për kushte para zyrës së kryeministrit. Reaguesi i parë në veri është Policia e Kosovës edhe ata janë edhe polici, edhe ushtri edhe çdo gjë tjetër dhe për atë duhet të trajtohen ashtu siç duhet”, ka deklaruar deputeti Reçica.