Raporti i Progresit kritika institucioneve/Rreth 79 milionë € u dhanë pa tenderë të hapur

17:45 | 08 Nëntor 2023
raporti-i-progresit-kritika-institucioneve/rreth-79-milione-e-u-dhane-pa-tendere-te-hapur

Shqetësuese po konsiderohen disa nga gjetjet e Raportit të Progresit për Kosovën. Politologë e analistë i shohin problematikat më të mëdha tek ngërçi i dialogut, korrupsioni që mbetet në nivel të lartë dhe dhënien e kontratave një burimore nga institucionet.

Në raportin e publikuar, Kosovës i kërkohet të bëjë më shumë kompromise në dialogun me Serbinë për të çuar më tej normalizimin e marrëdhënieve.

“Kosova duhet të mbajë zotimet e saj të dialogut dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut dhe Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj”, thuhet në fillim të raportit të publikuar nga Komisioni Europian, transmeton Front Online.

Analisti politik, Gazmir Raci thotë se Kosovës po i kushton ngërçi në dialog.

“Ka disa rezultate që i njeh, por ka edhe shumë sfida që i ka identifikuar. Më së shumti problem paraqet dialogu. Dialogu Kosovë – Serbi është pengesë e madhe sepse vazhdojnë të jenë aktive masat ndaj Kosovës, që pjesën më të madhe e kanë impakt financiar”, u shpreh Raci.

Kosova kryesisht ka marrë notën “progres i limituar” në shumicën e fushave që ka vlerësuar Komisioni Evropian këtë vit. Ky është niveli më i ulët i progresit.

“Progresi i limituar është shqetësues për shtetetin. Duhet strategji për zgjidhjen e gjeteve. Ka shumë institucione ku ka probleme. Qeveria me dale me strategji të qartë për adresimin e sfidave të këtij raporti. Kosova me rithemelu Ministrinë e Çështjeve Evropiane sepse kështu do të mund t`i zbatonte obligimet”, u shpreh Raci.

Shqëtuesese, por reale gjetjet e raportit i konsideron edhe politologu Fidan Ukaj.

“Raporti i progresit ka paraqitur gjendjen reale e faktike në terren. Mendoj se është një raport real bazuar në të gjeturat në terren”, u shpreh Ukaj për Front Online.

Ukaj tutje thotë se vlerësimi s`është aspak i kënaqshëm për Republikën.

“Është një vlerësim nën mesatare dhe mund të them se është një vlerësim i dobët që ndërlidhet me zhvillimet rreth marrëveshjeve dhe zbatimit të tyre”, theksoi Ukaj për Front Online.

Korrupsioni në nivel shqetësues, faji hidhet tek institucionet qeveritare, policia e prokuroria

Kosova është në mes të një faze të hershme dhe një niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, thotë Komisioni Europian, derisa shton se korrupsioni mbetet shqetësues.

“Është bërë përparim i kufizuar gjatë periudhës raportuese dhe korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese”, thekson raporti.

Avokati Skender Musa thotë se kjo gjetje e raportit ishte e pritshme. Ai ka lënë fajtor një hallkë institucionesh.

“Ka qenë i pritshëm dhe nuk ka pasë ndonjë ndryshim. Janë ndërruar partneret e bizneseve. Ka vazhduar situata njëjtë. Sa i përket korrupsionit janë institucionet qeveritare, që nuk e paraqesin rastin në polici, policia dhe prokuroria me hetu korrupsionin nga niveli lokal deri tek niveli qendror. S`u bë mjaftueshëm”, potencoi Musa.

Musa tha se mosluftimi i korrupsionit i kushton vendit me mosintegrim në BE.

“Kjo Kosovës i kushton sepse nuk mund të integrohet në Bashkimin Evropian, përderisa ata që kërkojnë korrupsion nuk paraqitën nga palet në mënyrë të drejtpërdrejt, nuk denoncohen nga kolegët e tyre të punës. Kosova ka dështuar për paraqitjen e korrupsionit”, potencoi Musa për Front Online.

Raporti i Progresit: Rreth 79 milionë euro u dhanë përmes negocimit direkt gjatë 2022-ës

Kontrata që peshojnë 559 milionë euro janë nënshkruar nga insituticionet e Kosovës në vitin 2022.

Kështu thuhet në raportin e Progesit, të cilin e ka parë portali Front Online.

“Në vitin 2022 janë nënshkruar kontrata me vlerë 559 milionë euro, krahasuar me kontratat me vlerë afër 430 euro milionë në vitin 2021”, thuhet aty.

Sipas raportit një sasi e konsiderueshme e aktiviteteve të prokurimit publik (21.80%) përmes procedurës së negociuar pa prokurim formal dhe proces tenderimi.

“Vlera e kontratat e nënshkruara me procedurë të negociuar pa u publikuar janë 78,56 euro milionë ose 14.05%”, thekson raportin.

Tenderët një burimor, ani se të lejuar sipas Ligjit të Prokurimit, eliminojnë konkurrencën dhe rritin mundësitë për keqpërdorime.

Front Online në vazhdimësi ka raportuar për tenderët një burimor të dhënë nga institucionet e Kosovës.

Komento: