Messi: Në PSG më mungonte fanella me numrin 10

11:00 | 10 Nëntor 2023

Lionel Messi e ka pranuar se gjatë kohës së tij në Paris Saint-Germain i ka munguar fanella me numrin 10.

Argjentinasi ishte mësuar me këtë fanellë në Barcelona, por edhe me kombëtare, megjithatë kur u transferua në Paris numri 10 tashmë ishte i okupuar nga Neymar.

Messi për këtë arsye gjatë kohës me PSG mbante fanellën me numrin 30.

“Nuk mendoj se sot është aq e rëndësishme sa ka qenë kohë më parë, por padyshim, fanella me numrin 10 është ende e veçantë”, tha Messi në bisedën me Zidane gjatë një video për Adidas.

“Kur isha në Paris, nuk vishja fanellën me numrin 10. Epo, isha mësuar të mbaja gjithmonë fanellën me numrin 10 të gjithë atyre viteve në Barcelonë, në kombëtare. Megjithëse nuk ishte një punë e madhe, pak më ka munguar që të mos kisha ‘numrin tim’, apo jo? Sepse e kam veshur gjithë jetën, por është në rregull, pastaj u mësova. Dhe numri 30 ishte e veçantë edhe për mua. Fillova të luaja me numrin 30, loja ime e parë ishte me numrin 30, kështu që ka edhe diçka të veçantë.”

Messi është rikthyer sërish duke veshur fanellën me numrin 10 që kur iu bashkua Inter Miami në korrik.

Komento: