Petkoviq: Pas dy ditësh në Bruksel do të diskutohet teksti i statutit të Asociacionit

13:53 | 14 Nëntor 2023
petkoviq:-pas-dy-ditesh-ne-bruksel-do-te-diskutohet-teksti-i-statutit-te-asociacionit

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, ka theksuar se takimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të dërguarit të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka qenë serioz dhe se Beogradi ka pranuar ftesën e Lajçakut për rinisjen e bisedimeve në Bruksel pas dy ditësh, ku do të diskutohet për tekstin e statutit të Asociacionit, transmeton FrontOnline.

“Biseda mes Vuçiqit dhe Lajçakut ishte shumë serioze, presidenti Vuçiq e informoi Lajçakun në detaje për seriozitetin e situatës me të cilën ballafaqohen serbët në Kosovë dhe dha të dhëna dhe fakte për kërcënimin e përditshëm ndaj serbëve. Biseduam edhe për Asociacionin, kjo është tema kryesore dhe më e rëndësishme, mbi të gjitha për popullin serb në Kosovë”, tha Petkoviq.

Ai shtoi se Asociacioni përfaqëson një mekanizëm për ruajtjen e të drejtave kolektive dhe individuale të popullit serb në Kosovë.

“De-përshkallëzimi në terren është i domosdoshëm, duhet parë normaliteti i jetës në Veri të Kosovës, i cili kërcënohet çdo ditë. Por është gjithashtu e rëndësishme që më në fund të hyjmë në diskutime për statutin e Asociacionit si dhe kompetencat ekzekutive që i ka në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe në vitin 2015. Beogradi ka çdo të drejtë të financojë ato institucione”, ka thënë ai.

Sipas fjalëve të tij, Beogradi e ka pranuar ftesën e Lajçakut për rifillimin e negociatave në kuadër të dialogut më 16 nëntor në Bruksel.

“Ne kemi diskutuar edhe për të gjitha temat tjera në kuadër të atyre marrëveshjeve që janë nënshkruar apo për të cilat është rënë dakord në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Beogradi nuk i është shmangur asnjëherë bisedimeve dhe dialogut ne gjithmonë kemi insistuar në dialog dhe normalizim të marrëdhënieve. Ne pranuam ftesën e Lajçakut që pas dy ditësh do të shohim në Bruksel se ku do të vazhdojnë bisedimet. Ju e dini shumë mirë se Beogradi qëndron për paqen dhe dialogu është i nevojshëm për ne”, u tha Petkoviq gazetarëve pas takimit me Lajçakun./FrontOnline/

Komento: