
Për shkak se i akuzuari Xhemajl Ramushi ka munguar për arsye shëndetësore, ka dështuar të mbahet seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku i njëjti akuzohet për veprën penale “Shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani tha se kanë pranuar raport nga Policia e Kosovës, se i akuzuari gjendet në spital për arsye shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Po ashtu, gjykatësja Namani tha se paraprakisht për mungesën e të akuzuarit Ramushi, është njoftuar prokurori special i çështjes Shpetim Peci, i cili nuk ishte prezent në seancë.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty për 29 nëntor 2023.
Ndryshe, prezent në seancë ishte mbrojtësi i Ramushit, avokati Hasan Shala.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 10 tetor 2022 i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me 8 vite e gjysmë burgim të akuzuarit Imer Azemi, Kadri Kurtishi, Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Nazmi Kalisi dhe Bekim Sylejmani, me 1 vit burgim me kusht të akuzuarit Naser Ljamalari dhe Izair Aliu, ndërsa janë liruar nga akuzat Xhemajl Ramushi, Hasip Kiki dhe Samet Ballazhi, e iu refuzuar aktakuza të akuzuarve Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi.
Por më 31 korrik 2023, Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, vetëm sa i përket të akuzuarve: Imer Azemi, Kadri Kurtishi, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Nazmi Kalisi dhe Xhemajl Ramushi, për veprën penale në vazhdimësi “Shmangia e pagesave të detyrueshme doganore” nga neni 318, paragrafi 3, lidhur me paragrafin I e lidhur me nenin 31 si në pikën V të dispozitivit të aktgjykimit, ashtu që për këtë pikë të dispozitivit, çështja penale kthehet në rigjykim dhe vendosje pranë gjykatës së shkallës së parë.
Ndërkaq, sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, pjesa tjetër e aktgjykimit të Themelores vërtetohet.
Ndërsa, pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Imer Azemi, Kadri Kurtishi, Bujar Loku, Ramadan Topojani, Nazmi Kalisi dhe Tahir Curri, të cilët ngarkoheshin për veprën penale “Shmangie nga tarifat e detyrueshme doganore”.
Kurse, për të akuzuarin Xhemajl Ramushi, në seancën e 17 tetorit 2023, gjykata ka bërë veçimin e procedurës penale për shkak se jeton jashtë vendit.
Ndryshe, prokurori në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga ndjekja për krim të organizuar ndaj të akuzuarve, por i njëjti kishte bërë rikualifikimin e veprave penale të cilat u viheshin në barrë të akuzuarave.
Ndaj të akuzuarit Kadri Kamberi veçse ishte veçuar procedura më parë, kurse ndaj të akuzuarve Rrahman Ljamalari dhe Jonuz Ljamalari, ishte parashkruar vepra penale për të cilën akuzoheshin.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 15 maj 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj zyrtarëve policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi dhe ndaj 15 të akuzuarve tjerë për veprat penale krim i organizuar, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, shmangie nga tatimi dhe veprën penale kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare.
Prokuroria, zyrtarët policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi i ngarkonte me veprat penale të krimit të organizuar, keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit. Të akuzuarit Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi thuhet se kanë kryer veprat penale të krimit të organizuar, kontrabandës me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore. Të akuzuarit Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Kadri Kamberi, Nazmi Kalisi dhe Xhemajl Ramushi, thuhet se kanë kryer veprat penale krim i organizuar, kontrabandë me mallra, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa Bujar Loku edhe veprën penale dhënie e ryshfetit.
Të akuzuarit Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi ngarkoheshin me veprat penale kontrabandë me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa së bashku me të akuzuarit Rrahman Ljamalari, Januz Ljamalari, Naser Ljamalari dhe Izair Aliu, për shmangie nga tatimi. Ndërsa, të akuzuarit Kadri Kurtishi dhe Tahir Curri akuzoheshin edhe me veprën penale “kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”. Bashkë të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe Isuf Ljamalari, Bahtir dhe Bejtush Gashi, mirëpo ndaj tyre ishte veçuar procedura.