Rohde: Moszbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit është shkelje e ligjit

14:55 | 29 Nëntor 2023
rohde:-moszbatimi-i-vendimit-te-kushtetueses-per-manastirin-e-decanit-eshte-shkelje-e-ligjit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, duke folur për Raportin për përputhshmërinë e sistemit juridik të Kosovës me Këshillin e Evropës, ka theksuar se moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kthimin e tokës në Manastirin e Deçanit është shkelje e shtetit ligjor, transmeton FrontOnline.

Rohde deklaroi në platformën “X” se të mirat dhe të këqijat mund të nxirren nga Raporti i Këshillit të Europës.

“Falë raportit të ekspertëve ligjorë për përputhshmërinë e sistemit politik dhe juridik të Kosovës me standardet e Këshillit Europian, lajmi i mirë është: rregullat ligjore në përgjithësi janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Lajm i keq: moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Deçan është shkelje evidente e sundimit të ligjit”, tha Rohde.

Ai tha se ekspertët e përshkruajnë Kosovën si një “demokraci funksionale” dhe vlerësojnë një kushtetutë moderne me “garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit”. Por, siç ka thënë ai, flasin edhe për kritika të ashpra ndaj përfaqësuesve të gjyqësorit dhe institucioneve nga politikanët në pozita të larta.

“Prandaj, dy rekomandimet e raportit për sundimin e ligjit për Kosovën janë: 1. të zbatohet pa vonesa të mëtejshme vendimi për banorët e Deçanit, 2. Të respektohet plotësisht pavarësia e gjyqësorit, duke përfshirë edhe përmbajtjen nga kritikat e panevojshme sepse kjo minon besimin në gjyqësor”, shtoi ai.

Rohde theksoi se raporti jep një pamje të përzier, duke vënë në dukje standardet e larta ligjore që nuk zbatohen gjithmonë dhe plotësisht.

“Është e qartë për mua se zbatimi urgjent – siç ka kërkuar vazhdimisht komuniteti ndërkombëtar – është i nevojshëm në mënyrë që të përmirësohet me sukses oferta e Kosovës për anëtarësim,” tha Rohde./FrontOnline/

 

Komento: