
Gjykata Themelore e Gjakovës ka njoftuar se ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Granit Elshanit, i cili akuzohej për veprat penale “Vrasja e rëndë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i pautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, trupi gjykues ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale si në aktakuzë.
Elshani akuzohej se “me datën 02 janar 2010, rreth orës 22:45 minuta, në Pejë, në diskotekën “C.C.”, e cila gjendet në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka” në Pejë, me dashje në shenjë hakmarrje për ta privuar nga jeta të dëmtuarin V.K., ka nxjerr dy armë dhe ka filluar të gjuaj në drejtim të tij me këtë rast me dashje ka privuar nga jeta viktimën B.Sh. dhe ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve V.K., A.B. dhe një numri të madh të personave të pranishëm në diskotekë. Po ashtu në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, jashtë diskotekës “C.C.”, me armë zjarri ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, duke rezultuar me lëndim të rëndë trupor për të dëmtuarit H.B.”.
Ndryshe, lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Pejë, më 30 maj të vitit 2018, ka shqiptuar 25 vjet burgim, ndaj Granit Elshanit.
Kurse, Apeli kishte anuluar aktgjykimin në fjalë, duke miratuar ankesën e mbrojtësit të mëparshëm të akuzuarit Granit Elshani, avokati Ndrecë Dodaj, për shkak se aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.
Gjykata e shkallës së dytë kishte vlerësuar se dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë, është në kundërshtim me vetveten dhe me arsyetimin e aktgjykimit dhe nga provat e administruara ka kundërthënie në mes dëshmive të dëshmitarëve rreth përshkrimit të personit i cili ka shtënë me armë.
Njoftimi i plotë: