Hasani: Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me dialog

17:40 | 30 Nëntor 2023
hasani:-kosova-dhe-serbia-t’i-zgjidhin-mosmarreveshjet-me-dialog

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në takimin e 30-të të Këshillit Ministror të OSBE-së, që po mbahet në Shkup, të Maqedonisë së Veriut, deklaroi sot se Shqipëria vazhdon të punojë fort dhe në mënyrë pro-aktive për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe paqësor. Ai ka folur edhe dhe për dialogun Kosovë-Serbi, si rrugë e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mes të dyja vendeve.

Ministri Hasani foli për përpjekjet  për të nxitur “telashe në Ballkanin Perëndimor mund të dallojmë të njëjtën dorë që po përpiqet të dobësojë OSBE-në. Ngjarjet në Kosovë janë provë e qartë e përpjekjes për të tërhequr vëmendjen nga lufta në Ukrainë, duke nxitur konfliktin në Ballkanin Perëndimor”.

“Ne po bëjmë çmos për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve së bashku me aleatët dhe partnerët tanë. Shqipëria vazhdon të punojë fort dhe në mënyrë pro-aktive për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe paqësor. Ne mbetemi garantues të orientimit evropian të rajonit tonë, i sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë”, nënvizoi Hasani.

Por, shtoi ai, “nevojitet një përpjekje e bashkërenduar dhe e përkushtuar nga të gjithë miqtë dhe partnerët tanë për të neutralizuar këto përpjekje, që synojnë të na kthejnë pas në kohërat e politikave të identitetit dhe konflikteve”.

Ministri Hasani nënvizoi se, Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet me dialog, natyrisht.

“Nuk ka alternativë tjetër veç dialogut. Por ne të gjithë duhet të pranojmë se mënyra më e mirë për ta bërë Ballkanin Perëndimor, dhe rrjedhimisht Evropën, më të sigurt, është njohja e pavarësisë së Kosovës dhe dhënia e vendit që i takon në këtë tryezë dhe në çdo forum tjetër ndërkombëtar”, tha ai.

“OSBE-ja ka një rol unik për të luajtur në promovimin e paqes dhe sigurisë në këto kohë turbulence globale. Me rezultatet e këtij Këshilli Ministror, ne kemi bërë një hap të vogël përpara. Por ne kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë. Dhe rruga përpara domosdoshmërisht kalon përmes rivendosjes së parimeve dhe angazhimeve tona. Nuk do të jetë e lehtë, por është e vetmja rrugë”, tha Hasani.

Ministri u shpreh se, Shqipëria vlerëson gatishmërinë e çdo shteti pjesëmarrës për t’u ngritur si Kryesuese.

“Është një përgjegjësi e madhe. Është e vërtetë. Por një përgjegjësi shumë më e madhe dhe më e rëndë për të gjithë ne do të ishte të mos kishim karrige për vitin e ardhshëm. Për fat të mirë, ky problem duket se është shmangur”, theksoi ai.

Hasani përgëzoi Maltën që u përzgjodh për të drejtuar OSBE-në vitin e ardhshëm.

“Është edhe detyra jonë të sigurojmë vazhdimësinë dhe përfaqësim të plotë për katër postet më të larta të strukturave ekzekutive. Sekretari i Përgjithshëm dhe krerët e institucioneve kanë bërë punë të lavdërueshme dhe meritojnë vazhdimin e mandatit të tyre”, tha ndër të tjera Hasani./ATSh

Komento: