
Ngjarjet e së mërkurës mbrëma në Prishtinë ku ndodhën dy vrasje kanë tronditur opinionin publik.
Bashkëshortja e ish-këshilltarit të presidentit Behgjet Pacolli, Naim Murseli, mbeti e vrarë pas të shtënave me armë nga një grabitje.
Po të njëjtën natë ndodhi edhe një vrasje tjetër.
Në rrugën ‘Ali Vitia’, një 52-vjeçar dyshohet se u ther për vdekje nga dhëndri i tij, i cili ndodhet ende në arrati.
Këto dy vrasje nuk ishin rasti i vetëm që nga janari i këtij viti.
Nga janari 2023 e deri më 31 tetor, kanë ndodhur 26 vrasje.
Kështu kanë bërë të ditur për Front Online nga Policia e Kosovës.
“Nga 1 janar 2023 deri me 31 tetor 2023, janë evidentuar 26 raste te vrasjeve”, thuhet në përgjigjën e policisë.
Njohësi i sigurisë: Numri i vrasjeve në rritje, fajin faktori ekonomik e social
Lidhur me fenomenin e vrasjeve në Kosovë, për Front Online ka folur njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.
Islami fajin për rritjen e rasteve të vrasjeve e ka lënë tek faktori ekonomik e social.
Ai thotë se faji nuk qëndron vetëm tek institucionet.
“Rritja e kriminalitetit është si pasojë e faktorëve ekonomik e social. Nuk është vetëm problem i institucioneve por që nga familja, shkolla duhet të punojnë që të ulët papunësia”, tha ai.
Sipas Islamit, rastet e kriminalitetit është në rritje.
Ai tregon se në cilat periudha janë më të shpeshta.
“Kjo dukuri në rritje të kriminalitetit në përgjithësi, përveç vjedhjeve e plaçkitjeve në forma të ndryshme të vrasjeve është në rritje dhe duhet të theksohet që janë dy periudha kur rritën këto raste si në muajt e verës dhe në fund vit të festave”, shtoi Islami.
Islami ka kërkuar nga institucionet përkatëse të marrin plane operative për parandalimin e vrasjeve.
“Institucionet duhet të marrin vendim që në muajt e verës dhe fund-vitit të ndërmarrin plane operative që policia të jetë më efikase që të zvogëlohet numri i kriminaliteteve”, ka deklaruar Islami për Front Online.
Sociologu kosovar: Kosova po krijon pasiguri nga rastet e shpeshta të kriminalitetit, të veprojnë organet
Për dy vrasjet që ndodhën të mërkurën në Prishtinë, ka folur edhe sociologu Bekim Selishta.
Ai thotë se organet e drejtësisë duhet të shtojnë punën për izolimin e këtyre rasteve.
Sipas tij, Kosova po krijon pa siguri nga rastet e shpeshta të kriminalitetit.
“Organet e drejtësisë të bëjnë më shumë për izolimin e këtyre rasteve, me këto vrasje të pahijshme i nxisin edhe largimin e popullatës nga vendi. Impakti i vrasjeve për familjarët është shumë i keq edhe për qytetarët mesazhi është jo i mirë. Ky vend po siguron pa siguri”, tha Selishta për Front Online.
Policia e Kosovës ka dalur me raport lidhur me rastin e vrasjes së gruas të mërkurën në Prishtinë.
“Rr. Dalip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 – 20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.
I dyshuari për vrasjen e vjehrrit mbrëmë në Prishtinë, gjendet ende në arrati.
Kështu ka bërë të ditur Policia përmes raportit 24-orësh.
“Rr. Ali Vitia, Prishtinë 29.11.2023 – 21:30. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje, i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar-therur me thikë babanë e bashkëshortes së tij (vjehrrin), viktimën mashkull kosovar i cili duke mos u përballuar plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku. I dyshuari gjendet në arrati, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.