Prishtina e Prizreni nuk e dinë ende nëse do ta falin tatimin në pronë prej 100 eurove

19:52 | 01 Dhjetor 2023
prishtina-e-prizreni-nuk-e-dine-ende-nese-do-ta-falin-tatimin-ne-prone-prej-100-eurove


Pa vendim për faljen e tatimit në pronë janë dy komuna të tjera që Front Online i ka kontaktuar.

Zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Arlinda Kastrati ka thënë që janë në diskutim, mirëpo nuk ka ende ndonjë vendim.

“E kemi pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe jemi në diskutim lidhur me këtë çështje, nuk kemi marrë ende ndonjë vendim dhe në momentin që marrim vendimin do të ju informojmë me kohë”, ka thënë ajo për Front Online.

Po ashtu edhe nga Komuna e Prizrenit nuk kanë vendim.

Drejtori i Financave, Sulltan Badalli për Front Online ka thënë që nuk e dinë ende, pasi që kryetari është në udhëtim zyrtar.

“Ende vendimin nuk e kemi marr, po e presim kryetarin një takim me bë, dhe e shohim më tutje çka. Kryetari është në udhëtim zyrtar dhe vjen në javën tjetër, pastaj do të bisedojmë të shohim se çka do të bëjmë”, ka thënë ai për Front Online.

Qeveria e Kosovës ka fituar përballje me komunat për faljen e tatimit në pronë. Gjykata Kushtetuese ka njoftuar të mërkurën se ka vendosur që komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.

Në shtator, Kushtetuesja pati vendosur masë të përkohshme për nenin e Ligjit për tatimin në pronë, që parashihte faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët. Komuna e Prizrenit e pati dërguar ligjin për vlerësim në Kushtetuese. Kryetarët e komunave akuzonin Qeverinë për ndërhyrje në kompetenca të komunave dhe se me këtë ligj ato dëmtoheshin duke ua zvogëluar buxhetin.

Komento: